Barroso: Në Libi përfundoi periudha e diktaturës

Kryetari i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, tha se vrasja e Muamer Gadafit, shënon fundin e diktaturës.
“Kjo shënon fundin e një epoke të diktaturës dhe besoj se ishte koha, që kjo periudhë të përfundojë, sepse populli i Libisë ka vuajtur për një kohë të gjatë”, tha Barroso, dhe shtoi se shpreson se tani populli i Libisë do të përqafoj lirinë duke ndërtuar një të ardhme të re demokratike.
Më herët kryeministri britanik, Dejvid Kamerun, tha se kryeministri i Libisë, Mahmud Xhibril, ka konfirmuar se kolonel Gadafi ka vdekur.
Më tej ai theksoi se “sot është dita për t`i kujtuar të gjitha viktimat e kolonel Muamer Gadafit, nga ato që vdiqën në lidhje me fluturimin Pan Am mbi Lokerbi, te oficerja policore britanike, Ivone Fleçer, në një rrugë në Londër, të gjitha viktimat e terrorizmit të Armatës Republikane Irlandeze, që vdiqën për shkak të përdorimit të Semteksit të Libisë”.
Kryeministri Kamerun, ka theksuar gjithashtu se duhet të mbahen mend shumë libianë, “që vdiqën në duart e këtij diktatori brutal dhe regjimit të tij”.
Ai është shprehur se populli në Libi tani, pas këtij lajmi, “ka rast të madh për të ndërtuar një të ardhme të fuqishme demokratike”.