E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barroso Thelloni reformat. Rruga drejt BE e pakthyeshme

E ardhmja e vendeve e Ballkanit Perëndimor është në familjen e madhe europiane, por këto vende duhet të ndërmarrin reforma në mënyrë që të ecin përpara. Ky ka qenë qëndrimi i përbashkët i eurodepuetëve të mbledhur në Bruksel në seancën mbi Ballkanin perëndimor.

”Europa nuk do të jetë e plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë e saj. Ne i shohim këto vende si pjesë ta familjes së madhe. I shikojmë të gjitha si pjesë të Europës, por për tu bërë pjesë e BE-së është një rrugë e gjatë përpara dhe kërkon shumë punë. Rajoni po ecën përpara dhe ne duam që të gjitha shtetet ta bëjnë këtë. Secila prej tyre e meriton. Secila nga këto vende duhet të jetë pjesë e historisë së suksesit që shkruajmë bashkë” tha presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso në seancën plenare mbi procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit.

Deklarata e Barrosos vjen pas vizitës së fundit në disa vende të rajonit. Ai konfirmoi një vizitë të afërt edhe në vendin tonë.
Javën e kaluar isha në Kroaci, Mal të zi, Bosnje hercegovinë dhe Maqedoni dhe muajt që vijnë do të vizitoj Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë” tha Barroso.

E pranishme në këtë seancë të rëndësishme ku u diskutua e ardhmja e rajonit, kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, theksoi progresin dhe hapat përpara që ka bërë Shqipëria  në dy dekadat e fundit.

“Shqipëria ka bërë progres shumë të madh, reforma të mëdha, transformim kolosal. Mendoni që vetëm 20 vite më parë Shqipëria nisi procesin e saj të integrimit, ta shihni se ku ka arritur ajo sot, ju do të kuptoni që Shqipëria është vendi që rrugën më të gjatë e përshkoi në kohën më të shkurtër” tha Topalli.

Duke folur për ekonominë, kryetarja e kuvendit përmendi rritjen e lartë ekonomike prej 4 % vitin që lamë pas të vendit tonë në kohën kur ekonomia globale ishte në krizë.

“Mendoj se në realitet, Shqipëria po kalon ditët e saj më të mira. Është e vërtetë që kemi pasur një problem artificial të krijuar nga dikush këto janë sfidat e demokracisë. Ne jemi të vendosur të ecim përpara kemi nevojë për solidaritet dhe që të tjetër të jenë të ndershëm ndaj shqiptarëve. Shqipëria vazhdon të ketë probleme, por ne jemi një model për tu ndjekur” tha Topalli.

Eurodeputetët ndanë të njëjtin qëndrim se integrimi i Ballkanit në BE do të forcojë qëndrueshmërinë, paqen dhe demokracinë në rajon. Ata ritheksuan se dyert e BE-së janë të hapura dhe se Brukseli do të ndihmojë procesin e integrimit të rajonit.

Bora Sadriaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›