Barroso rizgjidhet President i KE-së
Hose Manuel Barroso rikonfirmohet president i Komisionit Europian. Ai merr kështu mandatin e dytë, falë 382 votave në favor të tij, ndërsa 219 eurodeputetë votuan kundër. 117 të tjerë abstenuan. Edhe pse kandidatura e ish-kryeministrit të Portugalisë ishte e vetmja në këtë garë, polemikat nuk kanë munguar. Politikani 53-vjeçar i krahut të djathtë, e ka drejtuar Komisionin Europian gjatë 5 viteve të fundit. Kritikët nga e majta e kanë akuzuar atë se ka kënaqur qeveritë e vendeve të fuqishme, përfshirë Britaninë e Madhe e cila e mbështet kandidaturën e tij, dhe thonë se ai ka reaguar dobët ndaj krizës ekonomike. Sipas BBC, për të bindur kundërshtarët e tij, Barroso ka premtuar të përqendrohet më shumë tek politikat sociale, të luftojë papunësine dhe të manovrojë më shumë në tregun europian të punës.