E Hënë, 2 Nëntor 2026

Barroso, shefi është “lakuriq”

08/06/2005  Mes gafave dhe skandaleve të vërtetë e të supozuar, gjashtë muajt e parë të presidencës së BE hedhin hije mbi pasardhësin e Romano Prodit. Dhe me përparimin e krizës ekonomike, ndërkohë që referendumet shuplakosin kushtetutën, del gjithnjë e më qartë në pah dobësia e liderit portugez. Që duhet nga shumë, por nuk dashurohet nga askush

Prodi, fatlumi Prodi, kishte mundur të fuste në axhendën e tij tri arritje historike: futjen e euros, zgjerimin drejt Lindjes, kushtetutën e re. Çfarë ka në axhendën Barroso? Një krizë ekonomike për t’u përballuar, një ekuilibër i ri bilanci mes shtetesh, që nuk duan të paguajnë më, shtetesh që nuk duan të marrin më pak, shtetesh që nuk duan të heqin dorë nga privilegjet e tyre. Në Bruksel, nuk ka më shampanjë...

“Tashmë, nëse Barroso shkon të pijë një kafe, të jeni të sigurtë që ndokush do të skandalizohet nga që ai nuk ka paguar sheqerin”, mërmërisin në zyrat e Presidentit të Komisionit Evropian. Ndihen në shënjestër atje në Bruksel: pas gjashtë muajsh në qeveri, ka nga ata që duan të gjykojnë Hoze Manuel Durao Barroson. Nuk i falin “mëkatin origjinal” të këtij Komisioni, të lindur mes polemikash dhe pasigurish të rastit Buttiglione; nuk i falin që ka mbajtur të njëjtën eskortë, me pesë badigardë, që kishte kur ishte ende Kryeministër i Portugalisë; nuk i falin faktin që ka kaluar pushimet në jahtin e një miku të tij grek dhe miliarder. Mbi të gjitha nuk duken se kanë ndërmend t’i falin që është njeriu simbol i Evropës, në momentin më të vështirë të historisë së Unionit, mes referendumesh, zgjerimi, krize ekonomike dhe mosbesim të përhapur. “Sikur të ishte faji i tij”, thonë të trishtuar anëtarët e stafit të tij, ndërkohë që është i njëjti Barroso që të mërkurën, më 25 maj, iu drejtua me krenari të plagosur Parlamentit Evropian për të thënë se “janë insinuata të pathemelta”, të cilat largojnë vëmendjen nga “problemet e ndryshme të qytetarëve”.

Mes shumë komplimenteve dhe urimeve, dallohen menjëherë shenjat e një brishtësie, e cila rrezikon të kushtëzojë që nga fillimi punën e Barrosos. Brishtësi aspak personale, por si të thuash, institucionale. Në fakt, presidenti i ri vjen nga një vend i vogël dhe i mënjanuar, që do të thotë, me një peshë jo të madhe politike brenda Unionit. Për më tepër, vetëm pak pas emërimit të tij, qendra e djathtë portugeze humbi zgjedhjet politike, e kështu Barroso u gjend në të njëjtin pozicion aspak komod si Romano Prodi, kur fitoi Berluskoni në Itali.

Një tjetër handikap: zgjedhja Barroso është frut i një vetoje angleze (por jo vetëm kaq) ndaj kandidatit të tandemit franko-gjerman, belgut Guy Verhofstad. Një luftë e hekurt nervash mes qeverish e familjesh politike, jo dramatike, por e mbushur me pasoja, pasi në fund të fundit Barroso e gjeti veten president, pa patur një shtet të fortë si sponsor pas shpine. Përkundrazi, kryeqytetet mund t’i dedikohen pa asnjë problem një prej lojërave të tyre të preferuara, të shkarkojnë tensionet dhe problemet evropiane mbi ekzekutivin e Brukselit dhe Presidentin e tij.

Prova, se sa i dobët mund të jetë figura e në presidenti pamjaftueshmërisht të sponsorizuar, erdhi menjëherë në hapin e parë, në nëntor, me sulmimin që iu bë kandidaturës të italianit Rocco Buttiglione, që synonte vendin e nënpresidentit të komisionit. Arsyeja është një frazë e pahijshme ndaj “mëkatarëve homoseksualë”, por në të vërtetë, Europarlamenti kishte dëshirë të shijonte fuqitë e tij të reja në ekuilibrin kompleks mes institucioneve evropiane (Komision, Këshill, Parlament). Konfuzioni i atyre ditëve, në fund të fundit, demonstroi vetëm një gjë: Barrosos mund t’i imponosh shumë.

Vendet e Ulëta imponuan menjëherë konfirmimin e komisarit të tyre në postin e Konkurrencës, Neelie Kroes, pavarësisht rreziqeve të mëdhenj për konflikt interesash, për të cilat linte të dyshohej aktiviteti si menaxhere. Franca nuk heq dorë nga komisari i saj, Jacques Barrot, edhe ai i kontestuar, njësoj siç bënë edhe Danimarka e Hungaria. Në fund, vendet që kanë lëshuar, pjesërisht, kanë qenë Italia dhe Letonia.

Pasi është arkivuar ajo nisje e pasigurtë, pasi është zënë vendi në zyrat e reja në Pallatin Berlaymont (i ribërë, me zyrën e Presidentit që dominon çatitë e Brukselit), pasi janë sistemur intrigat e tjera shumë delikate të pushtetit, drejtorët, superburokracitë, Barroso mund të merrte pak frymë? Aspak! Sepse atij i ndodhi ekzaktësisht ajo që i kish ndodhur Prodit: çdo hap i tij shihet me lupë nga një shtyp, i cili me shumë dëshirë amplifikon euroskepticizmin, skandalizmin dhe rigorozitetin moral.

Kështuqë, pyetet madje se si ka mundësi që në pallatin e presidencës janë instaluar sauna, ndërkohë që zëdhënësit të Barrosos, Françoise Le Bail, i duhet që të dalë e të sqarojë se një sauna ekziston që prej vitit 1995, me idenë e hedhur nga vendet nordike, dhe se dyfishimi është rezultat i zgjerimit me vendet balltike, ku praktika e saunës është njësoj e përhapur (pyetja: me futjen e Turqisë, mos parashikohet instalimi i banjave turke?)

Më i bezdisshëm ka qenë kurioziteti lidhur me pesë badigardët që shoqërojnë Barroson. Një e re kjo, krahasuar me Prodin, i cili donte shumë që ta shihnin të ecte më këmbë, me biçikletë, apo të bënte shoping në rrugët e Brukselit. Barroso jo, rezidenca e tij në Bruksel mbetet e fshehtë, hyn e del nga një hyrje e blinduar, nuk mund ta shohësh as në supermarket e as në kinema dhe kjo, që për opinionin publik latin është normale, këtyre anëve konsiderohet një sjellje arrogante, dhe për të modifikuar këtë pikëpamje ndoshta do të duhet ndonjë tjetër atentat terrorist.

Por, mbi të gjitha, është pyetja “kush paguan” që u intereson nga pak të gjithëve: “Pesë truproja dhe dhjetë rroga”, është tituli i Libre Belgique. Dhe zëdhënësve u duhet të shpjegojnë edhe një herë (pakëz konfuzë) që eskorta është e njëjta që Barroso mbante kur ishte Kryeministër, që kërcënimet ekzistojnë tani, ashtu si edhe atëherë, që pjesërisht paguhet nga Lisbona, ndërkohë që Brukseli derdh vetëm kontributet sociale, 6 mijë euro.

Një lodhje e vërtetë për ata 15 zëdhënës presidencialë (në stafin e tij ka hyrë edhe një italian, pas polemikave për përjashtimin e kësaj gjuhe nga konferencat për shtyp), të cilët do të donin shumë të flisnin për ekonomi e politikë, e të mos shqetësoheshin për imazhin e presidentit.

Por rasti Latsis është aty për të demonstruar që nuk ekziston një kufi mes publikes dhe privates, kur bëhesh president i Komisionit Evropian. Spiros Latsis, është një biznesmen grek, i pasur, madje shumë i pasur, një prej 60 më të pasurve në botë sipas klasifikimit të Forbes, dhe është mik i Barrosos që kur të dy studionin në Universitetin e Gjenevës. Latsis ftoi, verën e kaluar, Barroson për të kaluar pushimet në jahtin e tij, me një tjetër mik të tyren, Dushan Sidjanski, tani konsulent i Barrosos në Bruksel. ǒtë keqe ka? Pak ose aspak, përveçse për euroskeptikët anglezë të udhëhequr nga Nigel Farage: një kantier i Latsis ka marrë në shtator të vitit të kaluar një ndihmë prej 10 milionë euro, të autorizuar nga BE.

Atëherë, thonë ka konflikt interesash. Nuk ka rëndësi që ndihmat datojnë në kohën kur President ishte Romano Prodi dhe komisioner për konkurrencën ishte më i egri i universit, Mario Monti. Tonet vijnë e rriten dhe Barrosos i duhet t’i përgjigjet mocionit të mosbesimit të euroskeptikëve. Një rrugë që britanik, Peter Mandelson, edhe ai i kritikuar për një festë në një tjetër jaht, në Karaibe, ai i Paul Allen, bashkëthemelues i Microsoft, një shoqëri që nuk i ka të pakta dosjet e hapura me komisionin.

Gafa të panevojshme, skandale inekzistentë apo të fryrë, por ndërkohë ecja e Barrosos është bërë lodhëse. Kontrolli mbi komisarët është i ngadaltë, bashkërendimi i vështirë, brishtësia politike e presidentit ka nisur të konfirmohet: kështu, komisari spanjoll, Joaquin Almunia, mund të shpallë nisjen e procedurave kundër Italisë, ndërsa komisioneri italian, Franco Frattini, replikon, duke thënë se asgjë nuk është vendosur. Ndërsa Basrroso, i sikletosur, hesht.

Kështu, Mandelson duhet të presë revoltën e qeverive për të marrë iniciative mbi importin e tekstileve nga Kina. Kështu, pas zgjerimit të Lindje, Barroso duhet të frenojë në tratativat me Turqinë, madje edhe për hyrjen, tashmë të vendosur, të Rumanisë dhe Bullgarisë në 2007.

Prodi, fatlumi Prodi, kishte mundur të fuste në axhendën e tij tri arritje historike: futjen e euros, zgjerimin drejt Lindjes, kushtetutën e re. Çfarë ka në axhendën Barroso? Një krizë ekonomike për t’u përballuar, një ekuilibër i ri bilanci mes shtetesh, që nuk duan të paguajnë më, shtetesh që nuk duan të marrin më pak, shtetesh që nuk duan të heqin dorë nga privilegjet e tyre. Në Bruksel, nuk ka më shampanjë...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›