E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjithë pushteti te bijtë e baballarëve

08/06/2005  Pasi ka përfunduar epoka e oligarkëve, në Moskë janë duke nxjerrë krye pinjollët e politikanëve. Tamam si në kohërat sovjetike

Në epokën sovjetike, bijtë e anëtarëve të politikbyrosë shkonin më pas e punonin në perëndim, si diplomatë apo përfaqësues të enteve të mëdhenj tregtarë shtetërorë. Sot, pinjollët e politikanëve janë duke iu imponuar drejtuesve të instituteve financiarë dhe sipërmarrjeve të mëdha

“Bijtë e padronëve tanë do të jenë padronë të bijve tanë”, komenton e shqetësuar e përditshmja “Obshaja Gazeta”. Arsyeja e një shqetësimi kaq të madh është lajmi i të disatës ngritje në detyrë të një pinjolli të nomenklaturës në postin e zëvendëspresidentit të një banke shtetërore.

Pasi janë detyruar të shkojnë në ekzil patriarkët e familjes së Boris Jelsinit, njeriu i naftës Boris Berezovskij dhe manjati televiziv Vladimir Gusinskij, pasi janë ridimensionuar në mënyrë drastike oligarkët e rritur nën hijen e privatizimeve të lehtë, në Rusi është duke nxjerrë krye një kategori e re njerëzish të fuqishëm: bijtë e baballarëve.

Telashet gjyqësore të mbretit të oligarkëve Mikhail Khodorovskij, njeriu më i pasur i Rusisë (nga 12 deri në 25 miliardë dollarë pasuri) dhe një prej pesë njerëzve më të pasur në botë, kanë detyruar rusët e rinj që të tërhiqen. Mesazhi është marrë me shpejtësi dhe shumë qartë: oligarkët e tjerë kanë zgjedhur për momentin që të jetojnë jashtë vendit, si Roman Abramovi, apo kanë braktisur ambiciet politike për të vazhduar të pasurohen në hije.

Sentenca e ashpër, që rrezikon të shpjerë për dhjetë vite në burg Khodorosvkijn është mesazh i paekuivok edhe për brezin e ri të “silovikëve”, apo njerëzit e pushtetit të rritur nën hijen e Vladimir Putinit. Motoja e tyre tashmë është bërë: mjaft më me pasurim pa kufij, jo rrezikut për t’u arrestuar për shkak të paaftësisë për të demonstruar prejardhjen e pasurisë.

Sot, të fuqishmit mendojnë për të ardhmen. Preferojnë një plakje pa rrezikun e të eliminuarit, aq më pak presin që të marrin fund, në rast ndërrimi të pushtetit, në kthetrat e drejtësisë.

Dhe i vendosin pinjollët e tyre në poste jetësore të administratës, ekonomisë dhe financës. Pasi ka mbyllur parantezën e të pasurve të rinj, që ishin pasuruar të vetëm, Moska është rikthyer tek ortodoksia e familizmit amoral. Në epokën sovjetike, bijtë e anëtarëve të zyrës politike të politikbyrosë shkonin më pas e punonin në perëndim, si diplomatë apo përfaqësues të enteve të mëdhenj tregtarë shtetërorë. Sot, pinjollët e politikanëve janë duke iu imponuar drejtuesve të instituteve financiarë dhe sipërmarrjeve të mëdha.

Shembujt janë të panumërt. Biri i ministrit të Mbrojtjes, Aleksandër Ivanov, 24 vjeç, në janar u emërua zëvendëspresident i Gazprombank, banka e shumë të fuqishmit Gazprom, monopolit të gazit në vend. Ilia Voloshin, 29 vjeç, pasardhësi i ish-shefit të madh të administratës së Kremlinit, është bërë zëvendëspresident i Conversbank. Pjotër Fradkov, 26 vjeç, biri i shefit të qeverisë, është emëruar në korrik të vitit të kaluar zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i FESCP, kompania e tretë detare e Rusisë. Sergei Matvijenko, 31 vjeç, nëna e të cilit është guvernatore e Shën Petërburgut, është emëruar në nëntor të vitit të kaluar zëvendëspresident i bankës shumë të fuqishme shtetërore, Vneshtorgbank.

Dhe vargu mund të zgjatet e të zgjatet pa fund. Duhet nënvizuar se bëhet fjalë për të rinj të privilegjuar që nga lindja e tyre. Në shumicën e rasteve janë njerëz të përgatitur dhe shumë kompetentë: thuajse të gjithë kanë studiuar në universitetet më të mira amerikane dhe evropiane dhe kanë mbi shpatulla përvoja pune në qendrat më të rëndësishme financiare dhe tregtare të botës.

E megjithatë, ngjashmëria me epokën sovjetike, atëherë kur Juri Çurbanov, bashkëshort i Galina Brezhnev, bijë e Sekretarit të Përgjithshëm të BRSS u bë zëvendësministër i Brendshëm, është shumë e madhe. Ndryshimi kryesor konsiston në faktin që, ndërkohë që sot rinia plot dhunti përdoret për të restauruar kontrollin shtetëror në sektorin energjetik dhe në atë financiar, në kohërat e Bashkimit Sovjetik pinjollët e nomenklaturës nuk kishin asnjë interes për biznesin.

Një tjetër e re, është shfaqja e një lloj barriere të xhamtë në versionin rus. Karrierat shpërthyese të bijve të baballarëve frenohen gjithnjë në nivelin e zëvendëspresidentit apo zëvendësdrejtorit të përgjithshëm. Sepse, për të mos ndryshuar ekuilibrat që për momentin janë shumë delikatë, silovikët kanë zhvilluar një sistem, i cili shmang shpërthimin e konflikteve ndërmjet grupeve të interesave. Në Rusinë e Vladimit Putinit është duke u zhvilluar një formë e re e menaxhimit të pushtetit, e cila ka tipare neobizantine.

Përpara se të emërohet një nga këta të rinj në kësi postesh shumë të rëndësishëm, këmbëngul Aleksei Mukhin, drejtor i Qendrës shumë prestigjioze për Informacion Politik, nisin konsultime shumë të gjata për të testuar dhe kuptuar nëse ka mendime të ndryshëm apo të kundërt nga ana e njerëzve të tjerë me pushtet. “Duhet patjetër që të kihet garancia që askush nuk do të mbetet i ofenduar, përfshirë ata që ndodhen në majat më të larta të pushtetit”, nënvizon Mukhin.

Në dukje, ligji nuk shkelet. Mbetet fakti që sistemi është zhvilluar për të arritur kontrollin e plotë të fluksit të parave dhe produkteve energjetike.

Drejtori i Institutit për Studime Politike, Sergei Markov, nënvizon se si, pavarësisht gjithçkaje, kësaj rinie nuk i jepet një pushtet i fortë influence, por thjesht një vend pune i lehtë. Motivi? Për të parandaluar sa më gjatë që, pushteti burokratik të përshkruhet nga trupa të huaj. Si në kohërat e Carit, apo ato të Stalinit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›