E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD kërkon shkarkimin dhe gjobitjen e Bodinakut

08/06/2005  Komisioni i Zgjedhjeve ka nisur shqyrtimin e ankesës së demokratëve për regjistrimin e 1400 studentëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shqyrtimin e kërkesës së PD-së mbi penalizimin e kryetarit të Njësisë Bashkiake 2 në Tiranë. Sipas demokratëve, Përparim Bodinaku nuk ka lejuar regjistrimin e 1400 studentëve në listën e votuesve, duke shkelur kodin zgjedhor. Madje, në referimin e mbajtur në KQZ, përfaqësuesi i demokratëve, Ferdinand Poni, ka dekalruar se PD i kërkoi qeverisë reagimin e menjëhershëm, duke marrë si masë shkarkimin nga detyra. Këtë qëndrim, Poni e ka mbështetur në faktin se edhe ministri i Pushtetit Vendor i ka kërkuar kësaj Njësie Bashkiake që të regjistrojë studentët, sipas ligjit në fuqi. Por, nga ana e tij, Bodinaku ka kundërshtuar të regjistrojë studentët. Në dokumentet e dorëzuara në KQZ, sqarohet se Bodinaku ka shprehur rezerva mbi identitetin e studentëve, që kanë kërkuar të regjistrohen, ndaj dhe ka kërkuar sqarime të mëtejshme. Por, dhe pas dorëzimit të të dhënave më të plota, ai nuk ka pranuar kërkesën e dorëzuar nga një grup studentësh. Kjo me argumentin se kanë kaluar afatet e parashikuara në kodin elektoral për regjistrimin e zgjedhësve. Duke parë këtë situatë, KQZ ka pranuar që të marrë në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike. Gjoba e kërkuar prej demokratëve kap shifrën e 500 mijë lekëve. Megjithatë, KQZ ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes, për t'i kërkuar dhe Bodinakut një sqarim zyrtar. Për këtë është kërkuar që kreu i njësisë bashkiakë të paraqitet në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të dhënë argumentet e tij. Gjithashtu, për këtë çështje është zhvilluar dhe seanca e parë gjyqësore në Tiranë. Gjykata pritet të japë sot në drekë vendimin e saj për regjistrimin ose jo të 1400 studentëve.

Kandidatët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shqyrtimin e ankesave të partive politike mbi paraqitjen e kandidaturave me të njëjtat emra. Kështu, PD ka kërkuar heqjen e emrit të Gjok Vuksanit, në Mamurras, që kandidaon për një parti të vogël, pasi dhe kandidati i PD ka të njëjtin emër. Një tjetër shqetësim ka qenë dhe ai i PBDNJ-së, pasi në zonën 100 është paraqitur një kandidaturë, që ka emrin e njëjtë me konkurrentin e tyre, Thoma Miçën. Ankesë kanë paraqitur dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste, për zonën e Anastas Angjelit, pasi për një parti të vogël është paraqitur një kandidaturë që ka emrin të njëjtë me Angjelin dhe mbiemrin e përafërt. Për këto pika, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kërkuar shtyrjen e diskutimeve, për të mbledhur informacione të mëtejshme. Presidenti i PPE letër reformatorëve

Presidenti i Partive Popullore Evropiane, Vilfried Martens, i ka dërguar dje një letër drejtuesve të Partisë Demokrate të Reformuar, në të cilën shpreh besimin se populli shqiptar do të dijë të zgjedhë më 3 korrik. Sipas tij, votimet do të jenë një shans tepër i madh për mbylljen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ndaj ai ka ftuar shqiptarët që të mbështesin alternativën e partive të opozitës, duke e vlerësuar se mundësia më e mirë për integrimin dhe zhvillimin e vendit. Në fund të letrës, Presidenti i PPE-së uron partitë e djathta për fitoren në votimet parlamentare që do të zhvillohen më 3 korrik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›