E Diel, 1 Nëntor 2026

Barrot- Alibeajt: Shqipërisë nuk do ti mungojë ndihma e KE

Shqipërisë nuk do ti mungojë ndihma e Komisionit Evropian. Kjo ka qenë mbështetja që numri dy i KE, i ka dhënë ministrit të Drejtësisë. Po iki nga Shqipëria me mendimin se këtu ka ndodhur një evolucion pozitiv dhe sigurisht këto arritje tuaja do ti raportojë në Bruksel, deklaroi Barrot. Gjatë një takimi të zhvilluar me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, zv.presidenti i Këshillit Evropian, Jacques Barrot ka vlerësuar miratimin e disa ligjeve të rëndësishme në kuadër të reformës në drejtësi. Në këtë drejtim, ai ka veçuar krijimin e strategjive afatgjata që sigurojnë transparencë dhe eficencë. Takimi u shoqërua nga diskutime të zgjeruara mbi të gjitha problemet që janë hasur gjatë kryerjes së reformave në drejtësi si dhe të dyja palët u shprehen për rëndësinë absolute që ka kjo reformë në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zëvendës/presidenti Barrot, i cili është përgjegjës për çështjet e sigurisë, të luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar dhe të sistemit të drejtësisë në Komisionin Europian, u njoh me reformën në fushën e drejtësisë, me hartimin dhe miratimin e ligjeve të reja si ai prokurorisë, ai i organizimit të pushtetit gjyqësor, ligjit për ngritjen e gjykatave administrative. Ai përgëzoi arritjet e deritanishme në zbatimin e strategjive të ndjekura në reformën në drejtësi. Ju keni arritur suksese në zbatimin e disa strategjive në drejtësi, tani duhet të krijoni strategji afatgjata që sigurojnë transparencë dhe eficencë. Reformat në drejtësi duan maturi dhe kujdes sepse rrethi i gjyqtarëve kudo është i ndjeshëm, nënvizoi Barrot gjatë fjalës së tij. Në kuadër të kësaj, ministri Alibeaj  falënderoi zv/presidentin e KE, për ndihmën jashtëzakonisht të çmuar, financiare, teknike dhe të gjithanshme që Komisioni Europian i  ka dhënë Ministrisë së Drejtësisë në fushën e hartimit të ligjeve si dhe në ngritjen e infrastrukturës me ndërtimin e gjykatave dhe institucioneve të vuajtjes së dënimit. Për të realizuar reformën në drejtësi jemi përpjekur që të realizojmë ndërhyrjet e domosdoshme ligjore por edhe të ruajmë konceptin e pavarësisë së sistemit, theksoi Alibeaj në fjalën e tij. Më pas ministri e njohu numrin dy të KE, Barrot me hapat  e mëtejshëm të reformës në drejtësi, e cila synon të krijojë një sistem drejtësie lehtësisht të administrueshëm dhe në të cilën besimi i publikut do të rritet. Më tej ai e njohu bashkëbiseduesin e tij me ligjin e dosjeve dhe arritjeve të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›