E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH, reagim: Rama dogji 15 milionë kredi për shkollat

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka akuzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, se ka lënë fëmijët e Tiranës pa shkolla e kopshte dhe ka djegur rreth 15 milion euro kredi të dhënë nga Qeveria për ndërtimin e tyre. Duke reaguar ndaj deklaratës së një ditë më parë të Ramës në një emision televiziv se prindërit si pasojë e gjendjes së vështirë ekonomike nuk ju blejnë dot abetare fëmijëve, MASH vlerësoi se Rama me deklaratën e tij dëshmon se nuk jeton në Shqipëri, por në kullën e tij të fildishtë në Pezë, pasi akoma nuk ka mësuar se në Shqipëri fëmijëve të të gjitha shtresave, abetaret u jepen falas nga shteti. Teksti i Abetares u jepet falas të gjithë nxënësve të klasave të para në Shqipëri dhe asnjë prind nuk paguan për Abetaren, deklaroi MASH, sipas së cilës, premtimi i Ramës për të paguar Abetaret ngjan me ato premtimet e Zhvejkut. MASH, e ka cilësuar tallje programin e Edi Ramës se do ti blejë fëmijëve abetare. Tallje e thjeshtë e një njeriu që nuk ndërton shkollat e Tiranës, sepse nuk merr dot 20% të lejeve, por premton ato që tashmë janë garantuar prej vitesh, thuhet në reagimin e MASH.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›