E Diel, 1 Nëntor 2026

Barrot vlerëson zgjedhjet parlamentare, momentin për të dëshmuar pjekuri demokratike

Nishani merr vlerësime nga zv/presidenti i KE për arritjet e policisë në luftën kundër krimit
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jacques Barrot ka zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve e ka vlerësuar si momentin kyç që tregon pjekuri demokratike për vendin tonë. Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Zv/presidenti i KE ka zhvilluar një takim me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani të cilin e përgëzoi për arritjet e deritanishme që ka bërë policia shqiptare duke vlerësuar se puna e kryer deri tani ka të bëjë me imazhin e një Shqipërie që po ndryshon. Konstatoj me kënaqësi se keni kryer një punë të madhe, keni rezultate pozitive dhe i keni gjërat në dorë. Nga ana tjetër rezultatet tuaja përbëjnë edhe argumente të rëndësishme për të mbërritur tek heqja e vizave për qytetarët shqiptarë. Është e rëndësishme gjithashtu tu shpjegoni shqiptarëve se jeni treguar të rreptë e të ashpër me të gjitha format e kriminalitetit, për të realizuar objektivin për ti futur në Europë, cilësoi  Barrot. Numri dy i Komisionit Europian ka vlerësuar arritjet e policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, duke e cilësuar një ndër kushtet që vendi ynë duhet të plotësojë për të mbërritur tek heqja e vizave. Edhe gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me kryeministrin Berisha, zv/presidenti i Komisionit Europian ka parashtruar për Shqipërinë plotësimin e pesë kushteve, para se ajo të anëtarësohet në BE. Kushtet që vendi ynë duhet të plotësojë sipas Barrot janë; lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër emigracionit të paligjshëm, pavarësia e gjyqësorit, pajisja me një sistem shumë të mirë sigurie për lëvizjen e lirë si dhe pasaportat biometrike. Gjatë takimit të zhvilluar me ministrin e Brendshëm, Nishani, zv/presidenti i KE njëkohësisht përgjegjës dhe për çështjet e drejtësisë dhe sigurisë në BE është informuar edhe me përgatitjet për procesin zgjedhor. Ministri i Brendshëm informoi diplomatin europian se që nga muaji tetor funksionon një regjistër unik elektronik i shtetasve, nga i cili është gjeneruar edhe lista e zgjedhësve, katër muaj para datës së zgjedhjeve. Gjithashtu, ministri Nishani informoi edhe mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike, duke theksuar se brenda muajit maj do të pajisen me letërnjoftime të gjithë shtetasit që nuk zotërojnë pasaportën aktuale për udhëtim jashtë shtetit. Përsa i takon rolit të Policisë së Shtetit në zgjedhje, Ministri i Brendshëm informoi se policia po trajnohet për këtë qëllim dhe roli i saj ka të bëjë vetëm me ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike dhe shoqërimin e kutive të votimit. Duke gjykuar se duhet bashkëpunim për të qenë të suksesshëm, marrëveshjen strategjike me EUROPOL-in dëshirojmë ta pasojmë edhe me marrëveshje operacionale, veçoi Nishani. Rëndësi të veçantë, ministri Nishani i kushtoi informimit të funksionarit të lartë të KE mbi punën e kryer për menaxhimin e integruar të kufirit si dhe i shpjegoi edhe procedurat e sigurta të kontrollit në pikat e kalimit kufitar ku sistemet e informacionit të instaluara mundësojnë identifikimin e personave në kërkim, si dhe marrëveshjet për bashkëpunim ndërkufitar dhe operacione të përbashkëta me të gjitha vendet fqinje, duke arritur deri edhe në ndërtimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar si në Muriqan me Malin e Zi. Një tjetër arritje, në të cilën është ndaluar ministri që ka qenë edhe lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme e korrupsionit. Nishani informoi mbi goditjen e të gjitha grupeve kriminale dhe vënien e rreth 900 anëtarëve të tyre para drejtësisë, ekstradimin dhe vënien para drejtësisë të rreth 250 personave, goditjen e vazhdueshme dhe uljen e ndjeshme të trafiqeve të drogës dhe qenieve njerëzore, goditjen e korrupsionit, ku tre vitet e fundit numërohen afro 200 të arrestuar, mes tyre edhe të niveleve të larta të shtetit dhe administratës, e po kështu edhe në radhët e policisë, ku numërohen rreth 115 të arrestuar për korrupsion.

Last Updated on Sunday, 03 May 2009 06:59

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›