PD: Rama pinjoll i familjeve të nomenklaturës komuniste nuk mund ti falë Berishës përmbysjen e sistemit komunist
Partia Demokratike akuzon kryetarin e selisë rozë Edi Rama, si autorin e artikujve të botuar në shtypin e shkruar, që sipas saj synojnë të manipulojnë opinionin publik në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar me 27 prill për përcaktimin e kufirit ujor me Greqinë. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli sqaroi se gjithçka është trillim i Ramës dhe për këtë tha ajo si Ministria e Jashtme ashtu dhe ajo e Mbrojtjes kanë sqaruar të gjitha detajet e marrëveshjes së arritur mes dy vendeve.
Rama faktoi se është ai autori i artikujve të gazetave të tij për marrëveshjen për përcaktimin e kufirit ujor më Greqinë. Pra, njësoj siç bëri me orën e Bushit e përdori këtë gjë për të zhurmuar vizitën e suksesshme të Karamanlisit. Ai përsëriti në monologun e pasdarkes të gjitha akuzat e formuluara çdo ditë në mediat e tij. Ai deklaroi se marrëveshja nuk është transparente, se nuk dinte pikën bazë të përdorur për matjet, ndonëse 2 herë nga autoritetet kompetente është shpjeguar qartë para mediave, deklaroi Mëhilli. Duke hedhur poshtë deklaratat e kryesocialistit gjatë një interviste televizive, ajo thekosi se në fund të monologut mbi 3 orësh Rama kishte qenë aq bindës sa nga 1200 qytetarë që votuan në sondazhin e emisionit, 52,7% votuan për Partinë Demokratike. Por, meqë PD nuk ishte e përfaqësuar në emision, sipas saj ato vota dukeshin se ishin vota proteste ndaj Edi Ramës. Nisur nga ky fakt, PD uron që mediat të transmetojnë çdo natë monologje të Edvinit. Në monologun e tij 3 orësh Rama vetëm për një gjë kishte të drejtë, në sulmet dhe urrejtjen kundër Berishës, sepse ky i përmbysi pushtetin mizor komunist të babait të Ramës dhe e bëri këtë pikërisht në kohën kur ai nga karrigia e anëtarit të presidiumit të Kuvendit Popullor firmoste edhe pas rënies së murit të Berlinit për ekzekutime të intelektualëve dhe qytetarëve kundërshtar të regjimit diktatorial. Rama si pinjoll i familjeve të nomenklaturës komuniste nuk mund të harroj kurrë, nuk mund ti falë kurrë Berishës përmbysjen e sistemit komunist, pushtetin e babait e dajove të tij anëtarë të Byrosë Politike, deklaroi Mëhilli. Por, ajo veçon se Sali Berisha siguron se më 28 Qershor do ti rezervojë Ramës fundin e paraardhësve të tij.