E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blushi : PS ka vendosur të mundë Berishën, armikun e përbashkët

Deputeti socialist Ben Blushi  i ka kërkuar shqiptarëve që ta ndëshkojnë me votë kryeministrin më 28 Qershor, për ti dhënë fund një herë e mirë varfërisë dhe mungesës së vëmendjes nga ana e qeverisë. Gjatë takimit të zhvilluar në Qarkun e Korçës në turin për prezantimin e programit të ri qeverisës, Blushi është ndalur në Starovë dhe ka veçuar se kjo forcë politike ka vendosur të mund një armik të përbashkët, i cili sipas tij nuk është armiku i Edi Ramës e as i tiji personalisht. Ai është armik i Shqipërisë. Kjo është varfëria jonë. Kemi vendosur të mundim varfërinë, duke shkuar në 28 Qershor, me një projekt, me një program, i cili do të ketë një përgjigje për secilin nga ne. Sepse më 28 Qershor miqtë e mi, ne nuk votojmë vetëm për të gjitha këto, por ne votojmë për të hapur derën e Evropës. Kjo derë na është mbyllur, na u mbyll për 50 vjet nga komunizmi, menduam se e hapëm në 1991, por Sali Berisha mori çelësin dhe e hodhi këtu në liqen. Megjithatë, ne do ta gjejmë sërish çelësin e Evropës dhe do ta hapim atë derë përfundimisht, për të jetuar si njerëz me dinjitet, siç e meritojmë ne shqiptarët, veçoi Blushi. Sipas tij, Shqipëria mund të rregullohet, mund të ndryshohet, mund të jetë më e mirë dhe më e denjë, por një gjë e tillë duhet të bëhet nëpërmjet një rruge të vogël, ku deputeti socialist veçon se drejt saj kanë mbetur më pak se 60 ditë për të ndryshuar Shqipërinë. Jam i bindur se këtu në Starovë, por edhe kudo tjetër, nuk do të ketë arsye për të votuar më për Sali Berishën. Të votosh sot për Sali Berishën, do të thotë të votosh për të djeshmen. Ne duhet të ecim përpara dhe të votojmë për të nesërmen, vijoi ai. Ndër të tjera, Blushi përmendi takimet e tij me të rinj, të cilët sipas tij kanë arsye të besojnë se vendi i tyre nuk i jep atë që duan, se vendi i tyre nuk i jep atë që meritojnë, se qeveria që kanë nuk i jep mundësi të kenë një punë, një shpresë, të ngrenë një familje të qetë, të lumtur dhe të rritin fëmijën e tyre. Secili prej nesh ka pasur dilemë në kokën e vet, dilemën të rrijë apo të iki nga Shqipëria. Shumë kush e ka sot akoma dilemën, të rri apo të iki, sepse ndoshta nuk ia vlen. Por, ne që kemi qëndruar këtu, kemi një besim, se mund ta rregullojmë Shqipërinë nëse jemi të gjithë bashkë, nënvizoi Blushi. Në këtë takim për prezantimin e programit të ri qeverisës në Qarkun e Korçës, ka qenë i pranishëm edhe nënsekretari për koordinimin në PS, Arben Ahmetaj ka folur për problematikën e emigracionit, duke veçuar faktin se janë të shumtë banorët e Starovës, të cilët punojnë në tokat e të tjerëve, pasi në vendin e tyre ndihen të pa mbështetur nga shteti. Duke shpalosur programin e ri qeverisës të PS, Ahmetaj ka theksuar se ky program do të ketë përgjigje për çdo fëmijë, çdo grua, për çdo të papunë, për çdo fermer, për çdo të sëmurë, për çdo pensionist, për Shqipërinë evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›