Barrot me Berishën: Sa më shpejt pa viza
Kryeministri Sali Berisha bisedoi dje në telefon me zv.presidentin e Komisionit Evropian, Zhak Barrot. Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së Këshillit të Ministrave, në këtë bisedë u fol për heqjen e vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. “Kryeministri Berisha pati një bisedë telefonike me Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, komisionerin për Sigurinë dhe Drejtësinë Zhak Barrot. Në këtë bisedë të përzemërt, Kryeministri Berisha njohu zëvendëspresidentin Barrot me arritjet e qeverisë shqiptare në plotësimin e kërkesave të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për shqiptarët”, thuhet në njoftimin për shtyp. Mësohet se zyrtari i lartë i Komisionit Evropian siguroi kreun e qeverisë shqiptare se vizat do të hiqen sa më shpejt. “Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Barrot vlerësoi lart arritjet e qeverisë shqiptare në plotësimin e kushteve për heqjen e vizave dhe garantoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij të plotë për heqjen sa më shpejt të vizave. Kryeministri Berisha falënderoi me mirënjohje zëvendëspresidentin Barrot për mbështetjen e tij”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. Një grup vëzhguesish të KE-së pritet të vijnë javën tjetër në Tiranë për të parë nga afër plotësimin e kushteve nga ana e Tiranës zyrtare, përsa i përket bllokut të parë të Udhërrëfyesit që kanë të bëjnë më sigurinë e dokumenteve. Ndërkohë, në mars do të vijë edhe misioni i dytë, i cili do të shohë plotësimin e kushteve për tre blloqet e tjera.