Korçarët në kërkim të sahatit 230 -vjeçar
02/12/2009 Si e përdhosën një nga objektet më të vjetra. Premtimet e pambajtura të një kryebashkiaku
KORÇE- Gjatë ditëve të fundit, kur edhe vitit 2009 po i vjen fundi, banorë të qytetit të Korçës kanë ngritur zërin për një nga premtimet e pambajtura të kryebashkiakut Peleshi. Ky i fundit u kishte premtuar bashkëqytetarëve se fill pas uljes në karrigen e kryetarit të bashkisë, qyteti i Korçës do të kishte edhe sahatin e tij të dikurshëm, i cili, sipas Peleshit “që prej kohësh kishte ngecur në vend”. Me shprehjen se sahati “kishte ngelur”, Peleshi aludonte jo vetëm me ngecjen në vend, sipas tij, të zhvillimit të Korçës, por edhe me faktin se që prej shumë vitesh, sahati i qytetit realisht kishte munguar.
Sahati 230-vjeçar
Në të vërtetë sahati i qytetit kishte qenë një nga krenaritë e banorëve të tij, ndaj premtimi për rivendosjen e sahatit përbënte jo vetëm një nga premtimet më të rëndësishme, por edhe një nga çështjet më të ndjeshme të vetë korçarëve. Tashmë ajo që dihet ka të bëjë me faktin se sahati nuk është rivendosur, ndërsa ajo që nuk dihet ka të bëjë me mosdijen se kur ky premtim do të përmbushet. Sahatin e qytetit të Korçës e ka ndjekur gjithnjë ironia e historikut të tij. Me sa duket e njëjta gjë po e ndjek edhe sot e kësaj dite. Kulla e sahatit është ndërtuar në vitin 1780 ose 230 vjet më parë. Ky sahat do të ishte në funksion të qytetarëve deri në vitin 1960, kur një tërmet do të rrëzonte kullën e sahatit dhe që nga ajo ditë sahati i Korçës do të kalonte përmes peripecish të shumta, madje të pakëndshme. Përpjekja e parë për të rivendosur sahatin u bë gjatë kohës së diktaturës, e cila nuk denjoi më të ngrinte kullën e sahatit atje ku kishte qenë, por e zhvendosi atë mbi një pallat, ku ngriti një objekt me disa tulla të ngjashme me një kotec pulash. Madje jo vetëm kaq, sahati u vendos mbi banjat popullore. Ky ishte nderi që i bënte Korçës diktatura komuniste. Megjithatë, sahati në fjalë, arriti të ishte në funksionim për shumë kohë, por së fundi akrepat e tij ngecën në vend, ashtu siç do të ngecej edhe vet sistemi diktatorial. Por që nga ajo ditë e deri më sot, gjithë kryebashkiakët që kanë ardhur dhe kanë ikur, nuk kanë denjuar të hedhin sytë nga sahati i qytetit të tyre, edhe pse në çdo fushatë elektorale jo vetëm që do të përmendin, por njëherazi do të prezantonin edhe përkushtimin e tyre për rivendosjen e sahatit. Pavarësisht nga të gjitha këto, edhe sot e kësaj dite ekziston dilema, nëse sahati duhet të vendoset atje ku ka qenë, çka do të thotë se kërkohet edhe ngritja e kullës së sahatit apo do të rivendoset sërish atje ku e kishte vendosur diktatura? Shpenzime janë më të vogla nëse vendoset atje ku e kishte vendosur regjimi i kaluar, por do të jetë më e pakëndshme për Korçën, ndërsa vendosja në vendin e vet do të ishte një detyrim i çdo kryebashkiaku dhe në nder të këtij qyteti. Sigurisht, në rivendosjen e sahatit të qytetit mund të bashkëpunohet edhe me Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve, pasi sahati përbën një nga ndërtimet më karakteristike, më të vjetra dhe monumentale të qytetit të Korçës. Rrugët e zgjidhjes ekzistojnë, premtimet janë bërë, tashmë pritet të shihet se sa drejtuesit e pushtetit vendor janë të aftë të mbajnë fjalën e tyre, dhe veçanërisht tani kur qytetarët kanë ngritur zërin për rivendosjen e sahatit, 230-vjeçar, dhe kur drejtuesve vendorë po u kujtojnë premtimet e bëra me aq bujë gjatë ditëve të fushatës elektorale.