E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, skema e re që shmang taksën mbi rrogat

 

Kush sigurohet për pension, jo në skemën shtetërore të detyrueshme të ISSH, por në skemat private, do të përfitojë ulje të tatimit mbi të ardhurat. Ligji i ri “Për fondet e pensionet vullnetar”, e ka të shprehur qartë detyrimin për tatimet që të zbresin nga paga shumën të cilin i punësuari e depoziton për të përfituar pension shtesë në moshën e pleqërisë. Në ligjin e ri, ka dy nene që përcaktojnë mënyrën e përfitimit të individëve që do të bëhen pjesë e fondit të pensionit vullnetar. Kështu në nenin që flet për lehtësitë tatimore theksohet qartë se “Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij, për efekt tatimi. Kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 000 lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.” E thënë më thjeshtë, çdo individ që derdh një pjesë të pagës në llogari të fondit, (për të përfituar pension tjetër nga ai i detyrueshmi), do të tatohet mbi të ardhurat, duke zbritur nga paga e tij mujore, pjesën që çon për tu siguruar vullnetarisht. Kështu në rast se një person e ka pagën 50 mijë lekë në muaj, detyrohet të paguajë si tatim mbi të ardhurat personale (10% e pagës) 5 mijë lekë çdo muaj. Në rast se individi, do të sigurohet në skemën e re, me 7500 lekë në muaj, atëherë tatimi mbi të ardhurat e tij, nuk do të llogaritet më me pagën 50 mijë lekë në muaj, por me pagën 42500 lekë në muaj. Pra ai do të tatohet vetëm 4250 lekë. Në këtë mënyrë, kursehen si tatim 750 lekë në muaj, dhe nga ana tjetër bëhet një sigurim prej 7500 lekësh në muaj. Shuma mujore, e cila derdhet për të përfituar pension nga ligji i ri dhe shmanget nga tatimi mbi të ardhurat personale, nuk duhet të jetë më e madhe se 200 mijë lekë në vit, ose 15 për qind e të ardhurave personale vjetore. Për personat që e nisin sigurimin mbi 50 vjeç, pra që janë më afër moshës së pensionit, ligji përcakton që mund të derdhet për efekt pensioni, duke shmangur tatimin, deri në 25% e pagesë por jo më shumë se 250 mijë lekë në vit.
Por nga ligji nuk përfitojnë vetëm të punësuarit, por edhe punëdhënësit. Kështu në rast se një biznes bie dakord me të punësuarit e tij për ti siguruar në fondet private të pensionit, atëherë shuma e derdhur në fondin e pensionit vullnetar, do ti njihet si shpenzim nga tatimet. Pra, kur në fund të vitit të mbyllë bilancin, e gjithë shuma e derdhur për të siguruar të punësuarit do të zbritet për të llogaritur tatimin mbi fitimin. “Trajtimi fiskal i kontributeve të bëra nga punëdhënësi Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me 250 000 lekë, dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i zbritshëm, për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit.”, theksohet në ligjin për “Fondet e pensionit vullnetar”.
Sipas ligjit, të gjithë ata që bëhen pjesë e fondit të pensionit kanë të drejtë të marrë pagesën e menjëhershme të vlerës neto të aseteve në llogarinë e vet, ose pagesat periodike, në formë pensioni, që i përgjigjen kësaj vlere, “kur mbushin moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e pensionit të detyrueshëm, që zbatohet për atë anëtar, 5 vjet përpara se të mbushë moshën e pensionit ose kur bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme dhe që vërtetohet, në përputhje me legjislacionin në fuqi.” Në ligj është parashikuar edhe pagesa e kësteve në rast se personi i siguruar ndërron jetë. “Nëse anëtari vdes përpara se të marrë pagesën e të gjitha aseteve të veta, asetet në llogarinë e tij do t’u shpërndahen trashëgimtarëve, në përputhje me dispozitat ligjore, që rregullojnë trashëgiminë.” Në ligj është parashikuar që shoqëria që administron skemën e fondeve të pensionit, është e detyruar që çdo muaj të informojë të siguruar për gjendjen e aseteve të tyre. “Shoqëria administruese, në periudha të rregullta kohore dhe të paktën çdo 30 ditë, duhet të informojë çdo anëtar për asetet, përfshirë vlerësimin e vlerës neto të aseteve në llogarinë e pensionit të anëtarit, datat e kontributeve dhe transferimet e aseteve të bëra nga ose në emër të anëtarit gjatë periudhës përkatëse dhe shndërrimin e këtyre kontributeve e të aseteve në kuota pensioni.” Në ligj parashikohet edhe investimi i parave nga shoqëria e fondeve të pensionit. Ligji parashikon disa lloje kontrollesh dhe përcaktimin e qartë të investimit, në mënyrë që risku i humbjes të jetë më i vogël se sa sigurie e pensioneve që do shpërndahen. “Funksionet kryesore të shoqërisë administruese janë mbledhja dhe investimi i fondeve, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, si dhe në përputhje me parimin e shpërndarjes së riskut (diversifikim), për ofrimin e përfitimeve të pensionit për personat, që bashkohen në fondin e pensionit. Shoqëria administruese, gjithashtu, mund të ketë edhe funksionin e kryerjes së pagesave të pensionit”.

Shembujt

Nëse do të marrim si shembull një individ, i cili e ka rrogën 30 mijë lekë, atëherë përfitimet nga ligji “Për fondet e pensionit vullnetar” do të ishin:
Skenari 1
Individi është 50 vjeç ose më pak:
- Maksimumi që individi mund të paguajë për llogari të fondit të pensionit në këtë rast është 4,500 lekë në muaj, që del si rezultat i minimumit midis 15% të totalit të të ardhurave dhe vlerës 200,000 lekë me bazë vjetore;
- Individi taksohet vetëm pasi është zbritur kontributi prej 4,500 lekë nga paga;
- Gjatë kohës së akumulimit nuk zbatohen taksat, si p.sh, ndaj fitimeve nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit;
Skenari 2
Individi është mbi 50 vjeç:
- Maksimumi që individi mund të paguajë për llogari të fondit të pensionit në këtë rast është 7,500 lekë në muaj, që del si rezultat i minimumit midis 25% të totalit të të ardhurave dhe vlerës 250,000 lekë me bazë vjetore.
- Individi taksohet vetëm pasi është zbritur kontributi prej 7,500 lekë nga paga.
Bizneset
Në të dy skenarët, pjesa që financohet prej punëdhënësit deri në një kufi prej 250,000 lekë në vit, njihet si shpenzim për efekte të taksave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›