E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baseli i shqiptarëve, kampion

Nga Express më 26 maj 2011 në ora 12:53

Baseli e ka mbrojtur titullin e kampionit të Zvicrës. Ekipi në të cilin aktivizohen futbollistët shqiptarë, Xherdan Shaqiri, Beg Ferati, dhe vëllezërit Taulant e Granit Xhaka, fitoi mbrëmë ndaj Luzernit të Burim Kukelit me rezultat 3:0, për ta siguruar titullin kampion.

Baseli, në xhiron e fundit të AXPO Super League e ruajti avantazhin prej një pike ndaj Zurichut të Admir Mehmedit e Adrian Nikçit, të cilit nuk i mjaftoi fitorja me rezultat minimal 1:0 ndaj Thunit.

Xherdan Shaqiri e ka shënuar njërin nga tre golat e kampionit, ndërsa të tjerët i realizuan Frei e Daogari. Beg Ferati dhe Granit Xhaka kanë luajtur gjatë tërë ndeshjes, Shaqiri luajti 76 minuta, kur ia lëshoi vendin Chipperfield, ndërsa Taulant Xhaka qëndroi në bankinë.

Ndërkohë, St. Galleni i Kristian Nushit nuk arriti t’i shpëtojë rënies nga elita e futbollit zviceran. Mesfushori kosovar shënoi mbrëmë njërin nga golat e ekipit të tij, në humbjen 4:2 nga Young Boys Bern.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›