Shqipëria mund të kualifikohet

Edhe pse janë të suspenduar nga garat ndërkombëtare, selektori i përfaqësueses së Bosnjës dhe Hercegovinës, Safet Susiç e ka bërë përzgjedhjen e lojtarëve për dy ndeshjet e radhës kualifikuese për ‘Euro 2012’ ndaj Rumanisë dhe Shqipërisë.
Ish-trajneri i ekipeve turke, Ankaragucu, Rizespor, Ankaraspor dhe Istanbulspor beson se FIFA e UEFA do t’ia heqë shumë shpejt suspendimin Federatës së Futbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Brenda kësaj jave do të mbahet Kuvendi i Federatës së Futbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe besoj se do të votohet unanimisht ndryshimi i statutit, në mënyrë që të na hiqet suspendimi. Shpresoj që në të ardhmen nuk do të kemi probleme të ngjashme”, ka thënë Susiç për Express.
Bosnja dhe Hercegovina u suspendua nga UEFA e FIFA më 1 prill, pasi nuk ndryshoi strukturën presidenciale në Federatën e saj, që është në kundërshtim me statutin e organeve udhëheqëse të futbollit botëror dhe atij evropian.
Më 7 qershor, reprezentacioni boshnjak në Zenicë pret Kombëtaren shqiptare, e cila përballje do të jetë e rëndësishme për të dyja skuadrat që po synojnë kualifikimin në Kampionatin Evropian.
Mirëpo, trajneri boshnjak thotë se për momentin nuk është duke menduar fare për takimin me Shqipërinë, pasi mendjen e ka te ndeshja e radhës kundër Rumanisë, e cila zhvillohet më 3 qershor.
“Ende nuk jam duke menduar për përballjen me Shqipërinë, pasi i gjithë koncentrimi im është te ndeshja e radhës me Rumaninë. Në fakt kam kaseta të ndeshjeve me Shqipërinë në mënyrë që ta analizoj lojën e kundërshtarit, por siç edhe thashë, Shqipëria vjen pas ndeshjes me Rumaninë”, theksoi Susiç.
Trajneri 56-vjeçar, i cili për një kohë të gjatë ka bartur fanellën e klubit francez PSG, mendon se përveç Luksemburgut, të gjitha përfaqësueset e tjera nga Grupi D kanë gjasa për kualifikim në Euro 2012.
“Mendoj se gjithçka ende mbetet e hapur në grupin tonë. Franca do të duhej të dilte e para nga grupi, ndërsa për vendin e dytë konkurrojnë katër ekipe, ne, Shqipëria, Bjellorusia madje edhe Rumania, e cila pati një fillim të dobët, por me një fitore ndaj nesh, do të futej në garë për vendin e dytë”, ka përfunduar Susiç.
Lider i Grupit D është përfaqësuesja e Francës me 12 pikë të tubuara. Vendin e dytë e zë Bjellorusia me tetë pikë, sa ka edhe Shqipëria. Bosnja renditet e katërta me shtatë pikë, derisa Rumania është e pesta me pesë pikë. Vendin e fundit e zë Luksemburgu me vetëm një pikë të tubuar.
Kuze grumbullon urgjentisht gjysmën e Kombëtares
Gjysma e futbollistëve të Kombëtares shqiptare kanë filluar urgjentisht të mërkurën përgatitjet për ndeshjen e 7 qershorit kundër Bosnjës dhe Hercegovinës.
Pushimi i gjatë i disa futbollistëve ka detyruar trajnerin Josip Kuze në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) të marrë një vendim të rrallë: publikimin e listës me vetëm 10 lojtarë, me të cilët ka filluar stërvitjet.
Për momentin, nën urdhrat e kroatit jenë kapiteni Altin Lala, Arjan Beqaj, Ervin Bulku, Kristi Vangjeli, Isli Hidi, Andi Lila, Gilman Lika, Jahmir Hyka, Endrit Vrapi e Gjergji Muzaka.
Grumbullimi zyrtar për Kombëtaren shqiptare do të nisë më datën 30 maj, ndërsa gjatë fundjavës pritet të zbulohen edhe emrat e tjerë që Kuze do të ketë në dispozicion për sfidën me Bosnjën.