Vështirë për Prishtinën e Hysin
Lideri i Superligës, Hysi dhe ndjekësi i saj, Prishtina në kuadër të xhiros së 30’të do të kenë takime shumë të vështira. Të dyja do t’i zhvillojnë takimet si mysafirë, Hysi do të takohet me Lirinë në Prizren, ndërsa Prishtina do të përballet me Trepçën në Mitrovicë.
Bardhezinjtë do të mundohen që ta ruajnë pozitën e parë, por këtë nuk do ta ketë të lehtë pasi që Liria këtë sezon ka treguar formë të mirë. Mirëpo trajneri i ekipit nga Merdari, Fadil Ademi beson në tri pikët e radhës për të ruajtur kreun e tabelës.
“Është ndeshje shumë e rëndësishme për ne që të ruajmë pozitën e parë, sepse jemi vetëm një pikë larg pozitës së dytë Prishtinës. Pritet një lojë shumë e vështirë për ne, sepse Liria është në formë të mirë dhe gjithnjë ka kultivuar futboll cilësor. Angazhimi ynë do të jetë maksimal për fitore, dhe të zhvillojmë një lojë sa më të mirë dhe t’i kënaqim edhe ata shikues që do të vijnë për ta shikuar takimin”, ka thënë Ademi.
Në anën tjetër, edhe bardhekaltrit do ta kenë një takim shumë të vështirë pasi janë mysafirë të kampionit aktual të Kosovës, Trepçës, e cila vështirë mposhtet kur luan në shtëpi. Megjithëkëtë, trajneri i prishtinasve, Ramiz Krasniqi beson në fitore.
“Na pret një takim shumë i vështirë, por do të mundohemi që të arrijmë fitore, motivi është në anën tonë, sepse dihet që ne po luftojmë për titull, por nuk do ta kemi edhe të lehtë kur dimë se Trepça ka një ekip të mirë dhe lojtarë shumë cilësorë, por edhe ata luftojnë për një pozitë sa më të lartë në tabelë, dhe sidoqoftë vetë loja si mysafirë na bën të kuptojmë se na pret një lojë e vështirë, por maksimumi ynë do të jetë për tri pikë”, ka thënë Krasniqi.
Kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në përfundim të kampionatit, Hysi është lider me 63 pikë, një më shumë se Prishtina që është e dyta.
Superliga – Xhiroja e 30-të
E enjte
Liria – Hysi
Trepça – Prishtina
Të dy takimet do të zhvillohen në ora 16:00