Miratohet strategjia për të rikthyerit në Shqipëri
Qeveria miratoi dje strategjinë për riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, e cila do të përfshijë periudhën 2010-2015. Sipas një njoftimi të zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave, strategjia e miratuar paraqet politikën e Qeverisë për shtetasit shqiptarë të kthyer, e cila konsiston në sigurimin e kthimit të qëndrueshëm të tyre, përmes lehtësimit të procesit të riintegrimit, duke synuar minimizimin e kostove të migracionit, rritjen e përfitimit dhe nxitjen e kontributit të shtetasve shqiptarë, të kthyer për zhvillimin ekonomik të vendit. "Kjo strategji dhe plani i saj i veprimit kanë si objektiv kryesor, përmirësimin e kuadrit ligjor për mbështetjen e riintegrimit, si dhe sigurimin e strukturave efektive me burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për institucionet publike, për të garantuar mbështetjen e riintegrimit të të kthyerve. Në hartimin e kësaj strategjie janë angazhuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare që operojnë në këtë fushë dhe donatorë të huaj, të cilët janë ftuar nga Qeveria të marrin pjesë në zbatimin efikas të saj", thuhet në njoftimin për shtyp.