Prifti rikthehet në Prokurori, dëshmi mbi 40 koncensione
Tiranë- Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti rishfaqet sërish në zyrat e Prokurorisë, këtë radhë për të dhënë shpjegime për një tjetër çështje të “tmerrshme”, siç e quan ai. Në qendër të vëmendjes së prokurorisë, këtë radhë janë vënë të paktën 40 koncensione minerare e hidrike, të dhëna nga paraardhësi i z.Prifti në detyrë, ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Prej disa ditësh, njësia “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës ka nisur një hetim të detajuar për raportin e auditit të brendshëm, të urdhëruar nga Dritan Prifti, menjëherë sapo mori detyrën e Ministrit të Ekonomisë, në shtator të vitit 2009. Raporti mbi koncensionet tashmë është në dispozicion të akuzës, e cila ditën e djeshme thirri për të dëshmuar edhe Dritan Priftin, ish-ministrin që ka paralajmëruar se nuk do të reshtë së denoncuari skandalet e qeverisë, në rast se organi i akuzës heton në mënyrë të plotë. Njeriu që ka denoncuar disa skandale, ku më i fundit ishte video-përgjimi mes tij dhe ish-zv.kryeministrit, ka qëndruar përreth katër orë në Prokurorinë e Tiranës, ku ka shpjeguar me detaje të gjitha shkeljet e evidentuara në dhënien e të paktën 40 lejeve koncensionare. I shoqëruar në çdo hap nga dy truprojat e tij, Prifti tha në dalje të Prokurorisë se i ishte përgjigjur thirrjes së prokurorisë, për të dëshmuar rreth çështjes më të re hetimore, të nisur nga njësia “Task Forcë”, që këtë radhë mbi koncensionet minerare e ato hidrike. “Sot jam thirrur si person në dijeni për çështjet penale të filluar, lidhur me koncesionet për periudhën jo kur kam qenë ministër dhe kam dhënë sqarime për atë që kanë pyetur prokurorët. Flitet për koncesione minerare të bëra para periudhës që unë kam qenë ministër”, - tha Prifti për mediat. Sipas burimeve të Prokurorisë mësohet se ish-ministri ka sqaruar raportin e auditit të brendshëm, të urdhëruar prej tij, menjëherë sapo mori detyrën dhe shkeljet, sipas tij, në të për të paktën 40 koncensione të dhëna gjatë muajve korrik-gusht të vitit 2009. Dy ishin problemet e evidentuara nga Prifti, gjatë seancës së djeshme të pyetjeve në Prokurorinë e Tiranës. Sipas burimeve mësohet se problemi i parë, ka të bëjë me mosmarrjen parasysh të leverdisë ekonomike, apo përfitimin real të shtetit shqiptar nga dhënia e këtyre koncensioneve. Këto shkelje, sipas dëshmisë së Priftit, vërehen në disa koncensione, ndërsa pjesa tjetër ka shkelje të tjera ligjore e procedurale, si dhe shmangia nga konkurrimi i subjekteve të ndryshme. Të gjitha rezultatet e raportit, që tashmë është në duart e prokurorëve, si dhe të dhënat që ofroi Dritan Prifti nëpërmjet dëshmisë së tij, tashmë janë pjesë e hetimit të prokurorisë, e cila do të zbardhë mënyrën se si janë dhënë lejet koncensionare. Më herët, gjatë daljeve të ndryshme publike, ish-ministri i Ekonomisë ka akuzuar paraardhësin e tij, Genc Ruli, për abuzime në dhënin e koncensioneve. “Kontrolli i Brendshëm i ministrisë ka gjetur gjëra të tmerrshme. Nëse Ruli kishte dhënë 80 koncesione gjatë katër viteve, vetëm gjatë dy muajve të verës ka dhënë 40” - ka deklaruar publikisht ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Paralelisht me këtë çështje, organi i akuzës ka në proces hetimi edhe dy leje të mëparshme koncensionare, njëra prej të cilave është dhënë gjatë kohës që në krye të kësaj ministrie ishte Dritan Prifti. Ndërsa një tjetër çështje hetimore, që është konsideruar si mjaft e rëndësishme nga Prokuroria, ka të bëjë me koncesionin minerar për kromin në Bulqizë.