E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: 240 milionë dollarë investime deri në fund të mandatit të parë

07-12-2012 / Gazeta 55

Buxheti i 2013-s/Bashkia e Tiranës, konsultime në njësitë bashkiake nr. 8, 9 dhe 10. BE dhe Franca, mbështetje financiare studimit të tramit të Tiranës


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha vijoi dje konsultimet me qytetarët lidhur me p/buxhetin e vitit 2013. Ky buxhet, për kryebashkiakun Basha, synon zhvillim, investime dhe punësim, ndërkohë që objektivi madhor mbetet konsolidimi i biznesit. Sipas tij shuma e parashikuar do të jetë 10 milionë më shumë se këtë vit dhe synon përfundimin e të gjithë projekteve të nisura. “Ky prezantim do trajtojë çështje të investimeve në tërësi dhe në veçanti për njësitë bashkiake 8, 9 dhe 10. Risia e buxhetit që do paraqesim është se bazohemi në buxhet të konsoliduar dhe kemi planifikim të qartë. 240 milionë dollarë investime deri në fund të mandatit, për Tiranën 80 milionë dollarë, 10 milionë më shumë se këtë vit. Do t’i japë fund problematikës së qytetit për të përfunduar investimet e nisura. Investimet janë tërësisht të projektuara sipas standardeve evropiane”, u shpreh Basha. Risia e këtij buxheti është fondi i garancive prej një milion euro për të kredituar ndërmarrje të vogla e të mesme që do të hapen nga qytetarët e Tiranës nën 35 vjeç. “Për të nxitur këto institucione kreditimi që të shohin projektet e të rinjve ne i vëmë në dispozicion këtë fond garancie, i cili do menaxhohet me transparencë të plotë. Detyra e këtij fondi është të vëmë ritëm të shpejtë dhe të kreditojë ndërmarrje të reja të nisura nga rinia e kryeqytetit”, theksoi kryetari i bashkisë. Kryebashkiaku Basha informoi qytetarët se ka nisur studimi për stacionin e ri të trenit që do t’i dhurojë kryeqytetit tramvajin, i cili do të lehtësojë qarkullimin dhe do t’i japë një frymë të re qytetit. “Kemi planifikuar dy lloj ndërhyrjeje strategjike dhe urbane. Sa i takon ndërhyrjes strategjike, para dy javësh me fondet të Bankës Evropiane për Zhvillim nisi studimi i stacionit të ri të trenit, ku do jetë treni, trami dhe autobusët urbanë. Sot qeveria franceze ka miratuar 500 mijë euro të tjera për linjat e trenit nëpërmjet Bulevardit, ndërkohë BE ka miratuar 750 mijë euro për linjën e tramit rreth e qark qytetit”, informoi ai, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për një zhvendosje psikologjike e cila duhet të rezultojë me ulje drastike të përdorimit të mjeteve private, me ajër të pastër, lëvizje të shpejtë dhe më pak të kushtueshme. Gjithashtu Basha informoi për projekte konkrete që Bashkia parashikon për njësitë e veçanta, si rregullim infrastrukturor, rikonstruksion të shkollave, të banesave etj.


BE dhe Franca, mbështetje financiare studimit të tramit të Tiranës/Pas bulevardit të ri, lumit të Tiranës, terminalit modal, edhe projekti strategjik i tramit, nis të kthehet në realitet. BE dhe qeveria franceze do të mbështesin studimet për linjat e tramit në qytetin e Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka bërë të ditur dje, se 1 milion e 250 mijë euro janë fondet e akorduara për studimin e linjave të tramit, duke i dhënë jetë në këtë mënyrë, realizimit edhe të projektit të tretë strategjik, të premtuar nga zoti Basha gjatë fushatës elektorale. Ndërkohë 16 muaj pas nisjes së punës së administratës së re të Bashkisë, drejtuar nga Lulzim Basha ka përfunduar tërësisht projekti i detajuar i bulevardit të ri dhe lumit të Tiranës nga studio arkitekturore “Grimshaw”, duke i hapur kështu rrugën fazave të tjera të implementimit të këtij projekti i cili i jep një dimension të ri zhvillimit ekonomik dhe nxit punësimin në  qytetin e Tiranës. Një tjetër projekt strategjik, ai i terminalit multimodal të pasagjerëve është në fazën e përgatitjes së termave të referencës për ndërtimin me koncesion. Falë një  fondi prej 500 mije eurosh, të akorduar nga BERZH, kompania Ital - Ferr ka nisur studimin e fizibilitetit dhe përgatitur termat e referencës, për dhënien me koncesion të terminalit multimodal ku do të akomodohen treni, trami, autobusët interurbanë , autobusët urbanë, taksitë sikundër parashikohen edhe ambiente për aktivitete komerciale. Me fondet e akorduara nga BE dhe qeveria franceze nis të marrë jetë dhe realizimi i projektit të tramit në Tiranë dhe shndërrimit në realitet të atyre projekteve që deri më sot janë konsideruar thjesht elektorale.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›