Llalla: Prokuroria, e pavarur nga krimi dhe politika
Parlamenti voton sot dekretin e Presidentit për Kryeprokurorin
Komisioni parlamentar i ligjeve miratoi dje dekretin e Presidentit, Bujar Nishani që kryeprokurori i ri i vendit të jetë Adriatik Llalla. Gjatë seancës dëgjimore, Llalla deklaroi përpara deputetëve se lufta kundër korrupsionit do jetë objektivi kryesor i punës së tij. Adriatik Llalla në fjalën e tij theksoi se zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përballet sot me shumë sfida, ku më kryesore është rritja e besimit te publiku. Ai u angazhua për bashkëpunim me të gjitha institucionet e vendit, duke shtuar se çdo rast do të trajtohet me transparencë të plotë. “Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përballet sot me disa sfida të rëndësishme ndër të cilat do të veçoja rritjen e besimit të publikut ndaj këtij institucioni, si një nga organet përgjegjëse për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Unë jam i vetëdijshëm për vështirësitë në arritjen e këtij objektivi, duke parë gjendjen aktuale, por kam besim se është një objektiv tërësisht i mundshëm. Natyrisht për të pasur sukses në këtë sfidë prioritare është lufta ndaj fenomeneve antiligjore brenda institucionit të akuzës. Ky do të jetë hapi i parë dhe më i rëndësishëm që do të japë përforcimin e besimit të publikut ndaj aktivitetit të Prokurorisë”, u shpreh Llalla. Ai theksoi se prokurorët në punën e tyre duhet të jenë të pavarur nga politika dhe krimi. “Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligji ‘Për prokurorinë’ e ka të mirëpërcaktuar pavarësinë e institucionit të prokurorisë në vendimmarrje. Por, ne nuk do të presim që këtë pavarësi të na e japin ata, ndaj të cilëve duhet të jemi të pavarur. Pavarësinë duhet ta fitojmë vetë, me punën tonë. Nëse prokurori nuk ka bërë pakt me krimin, nëse ai i merr vendimet vetë dhe të bazuara në ligj, atëherë ai është i pavarur nga krimi dhe politika”, tha ai. Si pjesë e trupës së prokurorëve, vijoi Llalla, jam në dijeni të rasteve dhe situatave ku disa prokurorë, në vend që të punojnë për të luftuar krimin e korrupsionin bëhen palë me të, duke luajtur më tepër rolin e avokatit se sa të prokurorit gjatë hetimit të çështjes. Ai garantoi se këta prokurorë janë pak, edhe pse është krijuar perceptimi qytetar se përbëjnë shumicën e trupës së prokurorëve. Pasi u dëgjua në komision, kandidatura e Adriatik Llallës mori miratimin e shumicës, ndërsa opozita abstenoi. Në argumentin e tij, deputeti socialist, Saimir Tahiri tha se opozita e abstenoi kandidaturën e Lallës, pasi e quan dekretin antikushtetues. Sipas, tij, dekreti nuk duhet të vinte në këtë kohë. Ai shtoi më tej se prokurori duhet t’i marrë vendimet në mënyrë të pavarur nga krimi e politika, ndërsa veçoi integritetin, si armën kryesore të suksesit. Më 3 dhjetor Presidenti Nishani dekretoi Adriatik Llallën në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës. Në relacionin shoqërues të dekretit presidencial, Nishani vlerësonte eksperiencën e gjatë të tij në strukturat e organit më të lartë të akuzës në vend, ku ai ka kryer detyra të ndryshme. Kreu i shtetit gjithashtu shprehte vlerësimin për zgjedhjen e tij konsensuale nga Kuvendi në postin e kryetarit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, një institucion, që sipas Presidentit Nishani ka marrë vlerësime nga partnerët ndërkombëtarë për pavarësinë dhe mënyrën e konsoliduar të funksionimit. Tashmë kandidatura e dekretuar nga kreu i shtetit dhe e miratuar nga komisioni i ligjeve do të votohet sot në seancë plenare.
...