KLD shkarkon nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Neritan Tabaku
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi sot me unanimitet, miratimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Neritan Tabaku. Presidenti i Republikës dhe njëherazi kryetar i KLD-së, Bujar Nishani theksoi se është e papranueshme për standardet që kemi qëllim të vendosim në sistemin gjyqësor, ekzistenca e rasteve të tilla, ku vetë gjyqtarët bëhen pengesë dhe privojnë palët nga ushtrimi i të drejtave të tyre kushtetuese. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Cefa e cilësoi të papranueshme neglizhencën e gjyqtarit në mos zbardhjen e vendimeve dhe mos dorëzimin e mbi 60 dosjeve gjyqësore, duke sjellë pasoja të rënda për të drejtat kushtetuese të palëve në gjykim apo për dhënien e drejtësisë. Por ajo çka është më e pa tolerueshme në këtë çështje, vijoi Zëvendëskryetari, është diskreditimi i rëndë i figurës së gjyqtarit dhe prishja e imazhit të gjithë trupës gjyqësore, nga qëndrimi i mbajtur nga z. Tabaku, përpara, gjatë dhe pas inspektimit të rastit.
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhanë mesazhin se raste të tilla duhet të evidentohen dhe të shqyrtohen me prioritet, duke ruajtur të njëjtin standard në vendimmarrje.
Gjithashtu, gjatë mbledhjes së sotme KLD zhvilloi ceremoninë e betimit të gjyqtarit të sapo emëruar në Gjykatën e Tiranës, z. Artan Lazaj, si dhe në një pikë të veçantë, konstatoi mbarimin e ushtrimit të detyrës së gjyqtares së Apelit Vlorë, Sashenka Jonuzi dhe shpalli vendin vakant në këtë Gjykatë.
...