Basha: “Akuzat e Prokurorisë janë farsë ligjore”
Autori i Lajmit: Suela TopiMinistri i Jashtëm, Lulzim Basha, pohoi dje se hetimet për rrugën Durrës - Kukës dhe veçanërisht për segmentin Rëshen - Kalimash do të tregojnë më së miri se tenderi për këtë rrugë është më transparenti dhe se është kryer konform të gjitha normave ligjore. Ai madje, pohoi se akuzat e Prokurorisë për këtë çështje nuk janë gjë tjetër veçse një farsë ligjore. Ish-kreu i Transporteve konfirmon se do të paraqitet në Prokurori për të dhënë shpjegime, por thekson se akuzat e Prokurorisë nuk qëndrojnë, pasi tenderat për rrugën Durrës - Kukës janë konform ligjit. Ministri shtoi më tej se çështja e imunitetit është një proces që ka nisur dhe do të përfundojë me zbardhjen e motivit se përse kërkohet hetimi ndaj tij.
Deklarata
“Do të demonstrohet përtej çdo dyshimi se investimi për rrugën Durrës - Morinë është më transparenti i bërë ndonjëherë në Republikën e Shqipërisë, është plotësisht në përputhje me ligjin shqiptar dhe që çdo përpjekje për ta nxjerrë atë në një dritë tjetër është një përpjekje e dështuar dhe, si e tillë, do të demonstrohet para qytetarëve, para Parlamentit dhe para organit të akuzës”, - tha Basha. Dy ditë më parë, përmes një letre drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, ministri Basha shprehej se “një javë më parë ju keni dërguar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë për procedim penal ndaj meje, kërkesë që ende nuk më është bërë e ditur zyrtarisht, por që zyra juaj ia ka shpërndarë po atë ditë, të gjitha mediave të vendit”. Më tej në të theksohet se shpifjet, trillimet dhe mashtrimet e këtij dokumenti do të marrin përgjigje një për një, sapo ai të marrë në dorë versionin zyrtar që është dërguar në Kuvendin e Shqipërisë. “Unë do të parashtroj në mënyrë të hapur dhe pa asnjë kufizim para publikut, organit të akuzës dhe Parlamentit të gjitha faktet dhe dokumentet që provojnë mashtrimin tuaj të madh. Por ato do të paraqiten edhe para drejtësisë shqiptare për të dhënë përgjigjen e merituar për këtë akt të dënueshëm mashtrimi dhe shpifjeje për arsye personale”,- shkruante Basha në letrën drejtuar Prokurorisë. Kjo letër është bërë e njohur për deputetët e Kuvendit së bashku me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ministrit Lulzim Basha. Madje Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit mori të hënën në shqyrtim këtë kërkesë dhe brenda 4 javëve, pasi të ketë dëgjuar dhe ministrin që kërkohet t i hiqet imuniteti, do të shprehë qëndrimin e tij në Kuvend. Më pas do të jetë Kuvendi, i cili, me votë, do të vendosë për heqjen ose jo të imunitetit të ish-ministrit të Transporteve, në mënyrë që ai të hetohet nga Prokuroria si i pandehur. Kuvendi ka tre muaj kohë për të shqyrtuar kërkesën, në të kundërt ajo quhet e rrëzuar.
Ky lajm është publikuar: 24/10/2007