Berisha premton lehtësime për investitorët e huaj
Autori i Lajmit: Red.Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në konferencën ekonomike shqiptaro-gjermane, me temë “Shqipëria, me perspektivë për të ardhmen”. Berisha vlerësoi se organizimi i kësaj konference është një mesazh i shkëlqyer për biznesin shqiptar dhe është një ngjarje e madhe për jetën ekonomike të vendit. Kreu i ekzekutivit siguroi se objektivi më madhor i Qeverisë mbetet shndërrimi i Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Në të gjitha këto përpjekje për të realizuar këtë mjedis të përshtatshëm për biznesin, tha Kryeministri, një ndihmë jashtëzakonisht të çmuar kanë dhënë qeveria dhe taksapaguesit gjermanë. “Qeveria gjermane ka nxjerrë Shqipërinë në krye të të gjitha vendeve për ndihmën ekonomike për frymë. Gjatë këtyre viteve janë dhënë 700 milionë euro, të cilat përfshijnë të gjitha fushat, pa përjashtim, të jetës së shqiptarëve, infrastrukturën, uji i pijshëm, energjinë, arsimin, shëndetësinë, policinë, ushtrinë, etj”, - u shpreh Kryeministri. Ai tha se Shqipëria ka një kuadër ligjor të përshtatshëm, ka resurse të mëdha natyrore, njerëzore dhe ka një pozicion të shkëlqyer gjeografik. “Qeveria shqiptare është e vendosur t ju mbështesë në çdo hap të përpjekjeve dhe të projekteve tuaja për investim dhe t ju shërbejë për suksesin tuaj”, - theksoi Berisha. Nga ana e tij, ambasadori gjerman theksoi se tashmë vihet re një prezencë e madhe e biznesit gjerman në Shqipëri dhe ky është fryt i një bashkëpunimi shumë të mirë mes dy vendeve. Ai vlerësoi se qeveria shqiptare ka bërë përpjekje shumë pozitive në drejtim të luftës kundër korrupsionit, ndërsa inkurajoi biznesmenët gjermanë të investojnë në Shqipëri. Konferenca organizohej nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Teknik dhe Dhoma Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë. Të pranishëm në të ishin ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Gjokë Uldedaj, përfaqësues të lartë të institucioneve dhe shoqërive ekonomike të Gjermanisë etj.
Ky lajm është publikuar: 24/10/2007