E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Aktet dhe mesazhet e Bakiut jane aktuale dhe frymezuese

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ishte sot në ceremoninë e përkujtimit të Ali Bakiut, kryetarit të parë të Bashkisë së Tiranës, pas Luftës së Dytë Botërore.

Basha vlerësoi aktivitetin e Bakiut, duke u shprehur se shumë prej akteve dhe mesazheve të tij, janë edhe sot aktuale dhe frymëzuese.

“Në një kohë të vështirë ekonomikisht, të mbartur me probleme të mëdha sociale, ai gjeti forcën dhe kohën të përballej me to, t’i trajtonte problemet e qytetarëve të tij, si të tijat, të trajtonte çdo dhimbje, çdo padrejtësi si një problem akut të tij dhe të jepte vendime maksimale për t’i zgjidhur ato.

Në një kohë rendjeje, drejt përfitimeve të reja të politikës dhe luftës për pushtet, ai kishte forcën dhe vizionin të braktiste çdo joshje të tillë dhe të mbetej në thelb, qytetari i parë, në shërbim të të gjithë qytetarëve të Tiranës”, u shpreh Basha.

Bakiu qëndroi për më shumë se një vit në krye të Bashkisë së Tiranës. Ai dha dorëheqjen, duke mos u pajtuar me politikën e sistemit të komunist, që nisi të shpronësonte qytetarët e Tiranës. Më tej, ai u persekutua nga regjimi i kohës.

“Nëse do të flasim për zhvillimin urbanistik, respektimin e pronës, infrastrukturën, nëse do të flasim për zhvillimet moderne në qytetin tonë, Kampuset Universitare, Parkun Teknologjik dhe gjithë këto procese, ne duhet t’i futemi punës me të njëjtat vlera, me të njëjtën vendosmëri e vizion me të cilat Ali Bakiu u bëri ballë presioneve dhe sfidave të kohës së tij. Duke bërë këtë, kemi edhe garancinë më të madhe për sukses”, - tha Basha

Aktiviteti përkujtimor për Ali Bakiun, u zhvillua nga shoqata “Tirana”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›