Basha: Aplikimi, me konsensusin e vendeve anëtare
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, konsideron se aplikimi i Shqipërisë për anëtare në Bashkimin Evropian u bë në kohën e duhur dhe se ishin reformat e suksesshme të qeverisë ato që diktuan datën e kërkesës. Sipas kryediplomatit shqiptar, aplikimi për statusin kandidat nuk mund të quhet i nxituar, pasi ka pasur një konsensus të gjerë të vendeve anëtare të BE-së. Një ditë pas dorëzimit të kërkesës zyrtare të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në BE, ministri Lulzim Basha vuri në dukje se kjo ka ardhur pas votëbesimit të këtyre reformave dhe arritjeve të Shqipërisë nga të 27 parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nëpërmjet ratifikimit të MSA-së në një kohë rekord. Por kreu i Ministrisë sonë të Jashtme i bëri dje thirrje kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të bëjë kujdes me deklaratat kundër aplikimit, duke i kujtuar se është i vetmi që e kundërshtoi kërkesën që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Z. Basha bëri të qartë se PD-ja dhe qeveria nuk do ta përdorë këtë moment të rëndësishëm për fushatën elektorale dhe zgjedhjet e 28 qershorit. Gjithsesi, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vuri në dukje se aplikimi i Shqipërisë për statusin kandidat në Bashkimin Evropian është mbështetur nga vendet e tjera anëtare. "Ne nuk jemi nxituar, por pritëm kohën e duhur për të bërë këtë hap", - u shpreh z. Basha.
Sipas tij, aplikimi për në BE u bazua në reformat e thella që kreu Shqipëria. Kreu i diplomacisë shqiptare vërejti se Shqipëria në prill 2009 përjetoi 2 arritjet më historike që nga pavarësia e saj: anëtarësimi i vendit në NATO dhe aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Basha shpjegoi se këto dy akte janë vlerësimi më brilant i reformave të mëdha dhe të suksesshme të ndërmarra nga kjo qeveri dhe nga kjo mazhorancë. Këto dy akte janë arritje madhore, historike për çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike. “Z. Rama dhe zëdhënësit e tij duhet, së paku, të heshtin sot, sepse në mënyrë të përsëritur, gjatë 2 muajve të fundit, kanë kërkuar që Shqipëria të mos aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Me interpretimin elektoral që i bën z. Rama datës së aplikimit, dëshmon se nuk njeh ABC-në e integrimit evropian. Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian kanë mirëpritur aplikimin e Shqipërisë, nisur tërësisht nga suksesi i reformave të saj”, - deklaroi z. Basha. Më datën 28 qershor, në Pragë, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i dorëzoi kreut të presidencës së radhës së BE-së, Kryeministrit çek, Topolanek, kërkesën zyrtare të Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së.
Thaçi uron Berishën për aplikimin në BE
Qeveria e Kosovës përshëndeti dje aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përgëzoi Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, me rastin e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në mesazhin drejtuar Kryeministrit Berisha, Thaçi shkruan: “Kam nderin dhe privilegjin që në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju shpreh përgëzimet më të sinqerta me rastin e aplikimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkim Evropian. Anëtarësimi i plotë Shqipërisë në NATO një muaj më parë ishte një arritje e jashtëzakonshme e popullit shqiptar”, - thuhet në mesazhin e Kryeministrit Thaçi. Kreu i qeverisë kosovare shton: “Shqipëria, duke u bërë pjesë e organizatës më të fuqishme botërore për siguri dhe paqe, u bë shembull i mirë i arritjes së standardeve të larta demokratike për shtetet në rajon”. Thaçi i vë në dukje Berishës se qeveria e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj u gëzohen arritjeve të Shqipërisë në të gjitha fushat e integrimeve euroatlantike. “Ne besojmë se institucionet e Shqipërisë do ta luajnë rolin e duhur për të ndihmuar dhe afirmuar të arriturat e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”, - shtohet në të. “Integrimi i ardhshëm i Shqipërisë në Bashkim Evropian do të jetë edhe një hap i madh i popullit shqiptar dhe një e arritur për të gjitha vendet fqinje. Paqja, stabiliteti dhe përparimi i përgjithshëm po bëhet pjesë e rajonit tonë”, - përfundon mesazhi i Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.