Ministria e Jashtme dënon dhunën e “Kroit të Vitakut”
Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme dënoi dje veprimet e dhunshme të ditëve të fundit të një grupi ekstremistësh serbë në lagjen "Kroi i Vitakut", në Mitrovicë (Kosovë) që kërkojnë ndërprerjen e punimeve për rindërtimin e shtëpive të qytetarëve shqiptarë, të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1999. Ministria e Punëve të Jashtme bashkohet me apelin drejtuar qytetarëve të Mitrovicës për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur çdo provokim, duke qenë të sigurt se Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i janë të vendosur, të përkushtuar dhe të gatshëm të përgjigjen ndaj kujtdo që kërcënon sigurinë, stabilitetin dhe rendin publik në Kosovë. Ministria e Punëve të Jashtme është e bindur se e drejta e qytetarëve shqiptarë, ashtu si edhe e gjithë qytetarëve të tjerë, për kthim në shtëpitë dhe pronat e tyre, si një e drejtë elementare njerëzore dhe plotësisht legjitime, nuk do të mbetet peng i kalkulimeve politike. “Ministria e Punëve të Jashtme, - thuhet në deklaratë, - rikonfirmon mbështetjen maksimale ndaj institucioneve qendrore dhe vendore të Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it në përpjekjet e tyre të vendosura për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës, si dhe për të garantuar funksionimin e institucioneve të saj legjitime, në të gjithë territorin, në interes të paqes e stabilitetit dhe perspektivës integruese evropiane e euroatlantike të Kosovës”.