E Diel, 1 Nëntor 2026

Pasuritë, 166 zyrtarët që do të hetohen



Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive publikoi dje emrat e 166 zyrtarëve shqiptarë, të cilët do të hetohen për pasuritë e tyre të deklaruara. Emrat e zyrtarëve u përzgjodhën gjatë një shorti publik, i cili u ndoq nga media dhe shoqëria civile. Sipas ligjit, rreth 4 për qind e të gjithë zyrtarëve hetohen nga inspektorati në mënyrë të detajuar në lidhje me deklarimin e pasurisë që ata kanë bërë. Nga shorti i hedhur dje, nën hetim do të jenë zyrtarë të të gjitha niveleve, qendror dhe lokal, si dhe në të gjitha pushtetet. Kështu shihet se kanë për t’u hetuar disa deputetë, drejtorë të rëndësishëm, kryetarë komunash dhe bashkish, doganierë dhe tatimorë. Në listën e verifikimeve janë përfshirë edhe zyrtarë të drejtësisë, si prokurorë dhe gjyqtarë.

Procedura e shortit këtë vit u bë ndryshe, pasi përzgjedhja e subjekteve në short u krye nga vetë qytetarët, të cilët kishin mundësi të tërhiqnin në mbi katër mijë zarfe me numra, të cilët u korrespondonin të gjithë zyrtarëve që janë subjekte deklaruese në ILDKP.

Në fjalën e tij, inspektori i përgjithshëm i ILDKP-së, Adriatik Llalla, u shpreh se do të ketë një hetim transparent të të gjithë zyrtarëve të caktuar nga shorti. “Për të shndërruar urat aktuale të bashkëpunimit ndërmjet institucionit nga njëra anë dhe publikut të gjerë, medias e shoqërisë civile nga ana tjetër, në struktura solide, mbi të cilat duhet të kalojë kushdo që merr mandatin nga populli dhe përfaqëson atë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore e vendore”, - tha Llalla. Njëkohësisht dhe u bë publikimi i listës së zyrtarëve që kanë dorëzuar tej afatit ligjor. Është për t’u theksuar se këtë vit është vënë re një ndërgjegjësim i lartë i zyrtarëve për respektimin e afateve ligjore. Nga rakordimet që ka kryer Inspektorati i Lartë, rezulton se 27 subjekte nuk e kanë përmbushur afatin ligjor për dorëzimin e deklaratës së interesave private periodike vjetore. Këta zyrtarë, në pjesën më të madhe janë drejtues lokalë të zonave më periferike të Shqipërisë, ndërkohë që të gjithë zyrtarët e lartë dhe të mesëm të nivelit drejtues e kanë respektuar afatin ligjor. Sipas inspektoratit, këtë vit ka pasur një rezultat më pozitiv në ndërgjegjësimin e zyrtarëve për deklarimin e pasurisë në bazë të ligjit. Deklarimi i interesave private ka pasur edhe një veçori specifike këtë vit, pasi për herë të parë, zyrtarët kanë pasur detyrim plotësimin e një formulari të veçantë me gjeneralitetet e personave të lidhur, që janë fëmijët madhorë, si edhe prindërit e zyrtarit dhe bashkëshortit. Nëpërmjet këtij ndryshimi, ILDKP-ja pritet të ketë rezultate më të gjëra në evidentimin, parandalimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›