Ministria e Jashtme: Nuk ndryshuam kufijtë detarë
Qeveria shqiptare garantoi dje opinionin publik se nga marrëveshja e nënshkruar me Greqinë për ujërat detare nuk është cenuar asnjë milimetër nga hapësira territoriale detare e Shqipërisë. Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes, dje në një dalje të përbashkët për mediat, bënë të qartë se nuk janë ndryshuar kufijtë dhe se një marrëveshje e tillë është nënshkruar më parë edhe me Italinë dhe shumë shpejt do të firmoset edhe me Malin e Zi. Drejtorja Juridike dhe e Traktateve Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, Ledia Hysi, dhe komandanti i Flotës Detare, Kristaq Gërveni, shpjeguan dje detajet e marrëveshjes së nënshkruar me Greqinë për caktimin e kufijve detarë mes dy vendeve. Sipas znj. Hysi, parimi i përdorur për shënimin e kufijve është ai i baraslargësisë nga kufiri tokësor i Greqisë dhe është mbështetur në Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit, në të cilën të dy vendet janë palë. "Duke qenë të dyja vendet palë në këtë traktat ndërkombëtar, janë të detyruara sipas nenit 83 të Konventës, “të përcaktojnë me marrëveshje mbi bazat e ligjit ndërkombëtar kufirin e shelfit kontinental. Parimi i përdorur për përcaktimin e vijës kufitare është ai i baraslargësisë", - theksoi Ledia Hysi, Drejtore Juridike në MPJ. Sipas saj, çdo pretendim për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër.
Duke marrë shkas nga pasaktësitë, keqinformimi dhe interpretimet e bëra gjatë ditëve të fundit në ndonjë organ të shtypit, znj. Hysi pohoi: "Përcaktimi i kufirit detar me Greqinë është bërë duke u bazuar tërësisht në metodat bashkëkohore të përcaktimit të kufirit detar, si dhe mbi parimet që respektojnë legjislacionin shqiptar në fuqi dhe është plotësisht në konformitet me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit". Ajo vuri në dukje se nuk ka dhënë dhe as ka marrë asnjë milimetër katror të hapësirës së saj territoriale, si rezultat i kësaj marrëveshjeje. "Metodat e matjes që janë përdorur në këtë rast, janë përdorur në të gjitha rastet kur shtetet përcaktojnë kufijtë detarë ndërmjet tyre", - sqaroi znj. Hysi. Sipas saj, baza juridike për përcaktimin e kufijve detarë dhe shelfit kontinental gjendet në Konventën për të Drejtën e Detit (e njohur ndryshe si Konventa e Montego Bay, sipas emrit të vendit ku u përfundua në vitin 1982), e cila ka hyrë në fuqi me 16 nëntor 1994. Parimi i përdorur për përcaktimin e vijës kufitare, sipas përfaqësueses së Ministrisë së Jashtme, është ai i baraslargësisë, pra përcaktimi i një vije ndarëse me largësi të njëjtë nga të gjitha pikat e vijës bazë të shteteve bregdetare. "Për caktimin e kufirit detar janë respektuar neni 5, 7, 10 dhe 15 i Konventës për të Drejtën e Detit. 150 koordinatat e përcaktuara, të cilat, të bashkuara në një vijë të pandërprerë, caktojnë kufirin detar mes dy vendeve dhe janë absolutisht të baraslarguara nga pikat më të dala të kufirit tokësor të secilit vend", - tha ajo. Ekspertja juridike e Ministrisë së Jashtme përmendi faktin se ka dy mënyra për përcaktimin e kufijve detarë. Njëra mënyrë është ajo e delimitimit, që është përcaktimi me vijë të përgjithshme ose me koordinata dhe mënyra e dytë është ajo e demarkacionit, që ka të bëjë me vendosjen e shenjave dalluese dhe përdoret në tokë. Koordinatat e sakta dhe hartat duhet të deklarohen në OKB dhe vetëm atëherë janë zyrtare, të ligjshme dhe të zbatueshme.
Ministria e Mbrojtjes: Si u bë ndarja e ujit
Ministria e Mbrojtjes përmes komandantit të Forcave Detare, Kristaq Gërveni, bëri dje të ditur se ka qenë pala shqiptare ajo që ka kërkuar e para përcaktimin e kufijve detarë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Ministrinë e Jashtme, komandanti Gërveni paraqiti të dhëna teknike se si është proceduar në vendosjen e kufijve. Ai bëri të qartë se vendosja e kufijve ujorë është iniciuar nga vetë shteti ynë. Z. Gërveni pohoi se si vijë bazë merret bashkimi i kepeve me të dala, qofshin këto të tokës së vazhdueshme apo edhe të ishujve. “Pra, duhet të kemi parasysh që një shteti i lind e drejta, qoftë edhe një shkëmb, qoftë dhe mbi sipërfaqen e ujit, që ta shfrytëzoje si pikë referimi për të ndarë sipërfaqen ujore. Inicimi ka qenë nga pala jonë. Për sa i përket detit unë e quaj një sukses. Ashtu siç e kemi realizuar me Italinë, u realizua me Greqinë dhe tani kemi filluar negocimet dhe me Malin e Zi", - tha Kristaq Gërveni, komandant i Forcave Detare. Duke e konsideruar nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje si një sukses, ai sqaroi: "Kjo ndihmon për kryerjen e detyrave në det, si për mbrojtjen e vendit, ashtu edhe për zbatimin e ligjit nga njerëzit që veprojnë në det, për të mos krijuar konflikte të panevojshme". Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, sipas zotit Gërveni, "Shqipërisë i lind e drejta për të shfrytëzuar pasuritë e nëntokës, si nafta dhe gazi, të cilat nuk mund të shfrytëzoheshin më parë, pa pasur marrëveshje me vendet fqinje që lagen nga i njëjti det". Greqia është palë në Konventën për të Drejtën e Detit, nga 21 korriku 1995, ndërsa Shqipëria që nga data 23 qershor 2003. Duke qenë të dyja vendet palë në këtë traktat ndërkombëtar, ato janë të detyruara sipas nenit 83 të Konventës, “të përcaktojnë me marrëveshje, mbi bazat e ligjit ndërkombëtar, kufirin e shelfit kontinental”. Në kuadër të vizitës së Kryeministrit grek në Tiranë, Kostas Karamanlis, Shqipëria dhe Greqia nënshkruan më datën 27 prill marrëveshjen “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare”, marrëveshje të cilën gazeta “standard” e publikoi të plotë para pak ditësh.