E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, Arabisë Saudite: Faleminderit që njohët Kosovën



Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, falënderoi dje Mbretërinw e Arabisë Saudite, përmes ambasadorit Abdullah Abdulazis Al-Abdulkarim për njohjen që i bënë pavarësisë së Kosovës. Basha shprehu mirënjohjen e thellë të popullit shqiptar për Mbretin dhe popullin saudit për vendimin e marrë për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet sovran e i pavarur. Ky akt u vlerësua si një dëshmi e qartë e miqësisë dhe marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy popujve dhe vendeve tona, i cili u përjetua me mjaft entuziazëm, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Një vend të rëndësishëm në bisedë zunë dhe rezultatet e vizitës së suksesshme të ministrit Basha në Mbretërinë e Arabisë Saudite. Ambasadori saudit i dorëzoi me këtë rast ministrit Basha një mesazh të ngrohtë dhe tepër miqësor të Lartësisë së Tij, Princit Saud Al Faisal, në të cilin vihet në dukje se mikpritja që iu rezervua delegacionit shqiptar, ishte një dëshmi e frymës së miqësisë tradicionale mes dy vendeve. Në mesazh theksohet, gjithashtu, besimi i palës saudite se bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh, që ekziston aktualisht, do të përfshijë koordinimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të dy vendeve edhe në kuadrin e organizmave ndërkombëtare. Po dje, ministri Basha takoi edhe ambasadorin e Malajzisë në Tiranë, z. Ramli Bin Naam.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›