Zgjedhjet, qytetarët mund të financojnë partitë në llogarinë bankare
Zgjedhjet e këtij viti mbajnë edhe një risi për sa i përket financimit të partive politike. Ashtu si në vendet perëndimore, ku më e përhapur është në SHBA, qytetarët mund të kontribuojnë drejtpërdrejt me shuma edhe simbolike për fushatat elektorale. Risia e këtyre zgjedhjeve është se partitë politike në garë do të kenë së shpejti një llogari bankare publike, nga ku çdo qytetar mund të hedhë një shumë përkatëse në mbështetje të fushatës së partisë që dëshiron. Sipas Kodit Zgjedhor, një qytetar nuk mund të dhurojë më shumë se 100 mijë lekë të reja për një subjekt politik. “Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se trei ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së”, - thuhet në Kodin Zgjedhor. Njëkohësisht partitë mund të financohen edhe nga biznese, por me disa kushte. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime. Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij, nëse ndodhet në një nga kushtet e mëposhtme, si: ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë; ushtron veprimtari në fushën e medies; ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme; ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Ky detyrim nuk zbatohet nëse aksionari i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike. Çdo parti duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit. Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat në ligj, ndryshe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohet nga KQZ-ja dhe është e detyrueshme për t’u nënshkruar në çdo rast dhurimi. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike.