E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Aspirata e shqiptarëve për në Evropë, po bëhet realitet

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha ka cilësuar pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si gurë kilometrik në rrugën e pakthyeshme të Ballkanit Perëndimor drejt paqes, stabilitetit dhe vlerave të Evropës së lirë dhe demokratike. Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, mësohet se ministri Basha ka marrë pjesë në Konferencën e 13-të Kombëtare të Shoqatës Kombëtare të Atlantikut të Veriut, ku veçoi si ngjarje historike pavarësinë e Kosovës, Samitin e Bukureshtit ku Shqipëria mori ftesën për në NATO dhe Samitin e ardhshëm të Starsburg-Kehl, ku pritet anëtarësimi i plotë i vendit në Aleancë. Më 1 prill hyn në fuqi MSA Shqipëri-BE. Po të konsiderojmë këtu edhe pavarësinë e Kosovës, mund të themi pa frikë se kjo është konjuktura më e favorshme historike që ka përjetuar ndonjëherë kombi ynë. Të gjithë së bashku ne mund të shohim të sigurt drejt së ardhmes tonë Evropiane, e cila po materializohet dita ditës me intensifikimin e pandërprerë të proceseve integruese të vendit drejt BE-së", u shpreh ministri Basha. Duke u përqendruar në progreset që ka njohur Shqipëria gjatë viteve të fundit, Basha përmendi se në ditët e sotme mund të dëshmohet që aspirata e qytetarëve shqiptarë për një Shqipëri në Evropë po bëhet realitet dhe po kurorëzohet me përmbylljen e fazës së parë të procesit të integrimit Euroatlantik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›