E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Zgjedhjet të rrezikuara, qeveria të japë letërnjoftimet falas

Në rastin e 60-vjetorit të krijimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, (NATO), e cila u zhvillua në Hotel Tirana me përfaqësues të huaj dhe politikanë shqiptarë, kreu i opozitës, Edi Rama nuk ka ngurruar të përmendë rrezikun e zgjedhjeve në Shqipëri që do të mbahen në 28 Qershor. Kryesocialisti ka ngritur edhe para ndërkombëtarëve, shqetësimin se dështimi i shpërndarjes së kartave të identitetit rrezikon të fusë vendin në një qorrsokak. "Ne gjendemi në kushtet kur ky proces rrezikon dështimin e tij. Nuk jemi aspak të lumtur, përkundrazi jemi thellësisht të shqetësuar teksa shohim që procesi shkon drejt një qorrsokaku ku vendi i sapo anëtarësuar në NATO mund të kthehet në një problem për të gjithë mund të marr përsipër një njollë", u shpreh Rama. Nga ana tjetër, kryeparlamentarja, Jozefina Topalli përpara ndërkombëtarëve ka hedhur poshtë deklaratën e kundërshtarit të saj politik, Rama, duke u shprehur se asnjë politikan nuk duhet ti trembet zgjedhjeve, të cilat sipas saj po realizohen me sukses. Shqetësimi i opozitës për pajisjen e të gjithë qytetarëve me karta identiteti, sidomos për atë kategori, e cila nuk ka mundësi financiare ka bërë që opozita të depozitojë në kuvend projektligjin me propozimet e saj. Ky projektligj i hartuar nga Partia Socialiste i kërkon Qeverisë që të shpërndajë karta identiteti falas për të gjithë ata persona, të cilët nuk kanë mundësi ekonomike. Në projektligjin e opozitës, tashmë të depozituar në kuvend, theksohet përcaktimi i lehtësirave financiare për kategorinë e shtetasve që nuk disponojnë pasaportë të vlefshme, që më datën 28 Qershor 2009 janë mbi ose 18 vjeç. Gjithashtu, theksohet se ngarkohet Këshilli i Ministrave të ndërmarrë një fushatë sensibilizuese reklamash në median elektronike e të shkruar, që synon nxitjen e shtetasve shqiptarë për pajisje me letërnjoftimi elektronik në zbatim të këtij ligji. Kryesocialisti ka bërë thirrje se aplikimet e të gjithë shtetasve me pasaportë duhet të ndërpriten deri në 28 qershor, duke theksuar se një fushatë intensive sensibilizuese duhet të fillojë për të çuar në sportelet e aplikimit të gjithë zgjedhësit pa pasaportë. Rama ka apeluar se askush smund të mbetet pa votuar pse është i varfër. Kjo varfëri, e cila nuk ka mundësi të votojë, nëse nuk aplikon për kartë identiteti, sipas Ramës është një tentativë e Qeverisë për të sjellë skema korruptive në proces votimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›