E Diel, 1 Nëntor 2026

Financim nga Buxheti nëse fondi është i papërballueshëm

21/03/2009  Bankat detyrohen të rrisin nivelin e sigurimit në rast “emergjence” dhe të parapaguajnë

Qeveria ka kërkuar që të ndryshojnë format e përballimit të situatave të falimentimit të bankave, duke marrë përsipër financimin e humbjeve nga Buxheti i Shtetit. Ndërsa forma kryesore e përballimit të situatave të mundshme do të jenë dhe rritja e detyrimeve që duhet të paguajnë vetë bankat që operojnë në Shqipëri, apo dhe pagesën para afateve të parashikuara në rastet normale të primit për sigurimin e depozitave.

Financimi

Ligji për sigurimin e depozitave parashikon që të gjitha bankat të paguajnë një përqindje të përcaktuar për çdo depozitë. Ndërsa fondi mblidhet në llogari të ASD-së, kjo për të përballuar situatat e falimentit apo raste të tjera të ngjashme. Por në rastet kur shuma e kërkuar për kompensimin e depozitave të siguruara është më e madhe se mjetet financiare që janë mbledhur deri në momentin e kërkuar, me propozim të Këshillit Drejtues pamjaftueshmëria e fondeve mund të mbulohet me forma të tjera. “Bankat e siguruara detyrohen të paguajnë primin vjetor para afatit ligjor të përcaktuar, duke marrë për bazë të llogaritjes së primit mesataren aritmetike të shumës së depozitave të siguruara që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të muajit pararendës”, - thuhet në ligj. Ndërsa Këshilli ruan të drejtën e rritjes së primit vjetor të pagueshëm nga bankat e siguruara deri në nivelin e kërkuar. Në rast se edhe pas kësaj mase nuk arrihet mbledhja e shumës financiare të kërkuar, “atëherë do të përdoren mjete të financimit nga Buxheti i Shtetit”.

Operacionet

Agjencisë së Sigurimit të Depozitave i propozohet t’i jepet e drejta e veprimeve financiare, që kanë si qëllim rritjen e fondeve të dhëna në dispozicion. Gjithmonë kjo duke operuar me mjetet financiare që lëshohen me vendim të Ministrisë së Financave. “Me qëllim sigurimin e fondeve të mjaftueshme për procesin e kompensimit, Agjencia mund të shesë me detyrim riblerjen e tyre, instrumente të detyrimeve të emetuara nga Ministria e Financave”, - thuhet në vendim. Ndërkohë është saktësuar se në rastet kur depozitat në bankën e falimentuar apo që shpall likuidimin vullnetar janë në monedhë të huaj, do të bëhet konvertimi i shumës, e cila sërish do të jetë e kompensuar 100 për qind deri në 2.5 milionë lekë. “Për qëllim të përllogaritjes së primit depozitat në valutë konvertohen në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të përcaktuar nga autoriteti mbikëqyrës në ditën e vlerësimit.”

Dëmshpërblim në rast të dëmtimit kur ka keqmenaxhim

Ndëshkim punonjësve që nuk veprojnë sipas ligjit

Në projektligjin e miratuar prej qeverisë dhe që pritet të kalojë për votim në Parlament, parashikohet dhe ndëshkimi i punonjësve të ASD-së në rast të shkeljeve ligjore që mund të sjellin dëmtimin e palëve të treta. “Agjencia nuk është përgjegjëse për dëmet e shkaktuara palëve të treta nga veprimet ose mosveprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës së përgjegjësive ligjore.

Punonjësit e Agjencisë mund të përgjigjen për dëmet që u shkaktojnë personave të tretë vetëm kur vërtetohet se kanë vepruar me keqbesim. Në këto raste Agjencia, pasi dëmshpërblen palën e dëmtuar, ka të drejtë të kërkojë nga punonjësi fajtor kthimin e shpërblimit”, - thuhet në vendimin e marrë. Por në rast se pas padisë ndaj punonjësit rezulton se ai është i pafajshëm, Agjencia është e detyruar që të paguajë shpenzimet juridike të subjektit të dyshuar.

Gjithashtu në draft përshkruhen dhe masat ndëshkimore ndaj bankave që nuk realizojnë detyrat e tyre. Autoriteti mbikëqyrës merr masat ndëshkimore në rastet kur subjekti nuk paguan kontributin dhe primin vjetor sipas afateve ligjore, me gjithë kërkesën e Agjencisë, përllogarit primin në kundërshtim me formulën e përcaktuar në ligj, deklaron dhe komunikon të dhëna të pavërteta dhe të gabuara, u komunikon depozituesve dhe të tretëve të dhëna të pavërteta ose të pasakta, publikon dhe informon për sigurimin e depozitave në kundërshtim me ligjin.

Ekspertët theksojnë se në ligjin që është ende në fuqi nuk janë përcaktuar qartë procedurat që ndiqen në rast të falimentimeve apo dhe detyrimet që kanë bankat për sigurimin e depozitave. Ndërsa rritja e depozitës së kompensueshme nga 700 mijë lekë në 2.5 milionë lekë vlerësohet si veprimi më i mirë për të rikthyer besimin te bankat apo dhe për garantimin e një sistemi më korrekt dhe të mbrojtur si nga vetë financimet me anë të sigurimeve, ashtu dhe nga mbulimi prej buxhetit të shtetit në rast të mungesës së fondeve.

a.lika

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›