E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emrat e bamirësve shkruhen mbi shpirtra njerëzish

21/03/2009  HISTORI/Kur shkruhej vakëfnameja (testamenti) i Iljaz bej Mirahorit

Iljaz bej Mirahori do të linte vakëf gjithë pasurinë e tij. Ky lajm kishte marrë dhenë. Ishte data 1 e muajit të Ramazanit, viti 910 sipas kalendarit Hixhra, ose viti 1504-1505, sipas kalendarit të sotëm. Atë çast Murad Iljazi ishte duke shkruar testamentin e Iljaz bej Mirahorit, ndërsa do të redaktohej nga Muhameti, biri i Mustafajit të Haxhi Hasanit. Përveç shkruesit, edhe 7 persona të tjerë do të ishin dëshmitarë të këtij akti: Sheh Muntesha Khalife, Mevlana Muhjidini, i shquar me llagapin Baro Holiç, Skënderi i Abdulla Zajmit, Braha Qehaja, Isa Bali Asqeriu, Beran Ajdin Spahiu dhe Iljaz Jeniçeri. Lajmi ishte i rëndësishëm. Tashmë e tutje njerëzit e thjeshtë do të kishin më shumë mundësi të grumbullonin të ardhura dhe më pak detyrime ndaj shtetit. Pritej vetëm vënia në zbatim e të gjitha pasurive që do të liheshin vakëfe. Asgjë nuk do të vononte. Premtimi i Mirahorit do të vihej në funksionim që atë ditë.

A falet pasuria?!

Më mosbesuesit dhe njerëzit më të varfë pyesnin veten se si mund të falte ky njeri një pasuri kaq të madhe që niste në Stamboll, vijonte në Janinë, shtrihej në Korçë dhe përfundonte në Përmet. “Si është e mundur…”? Pyetja rrinte varur, ndërsa pritej se çfarë do të ndodhte. Testamenti sapo kishte filluar të shkruhej. Në hyrje të këtij akti midis fjalive të tjera u vendosën edhe këto shprehje: “Kjo botë është e zhdukshme me gjithçka, kurse bota tjetër, ajo e Ahiretit (jeta pas vdekjes), është e amshuar me gjithë çfarë ka”. Pastaj u renditën fjalë të tjera: “ǒkemi pranë soset, e çka është pranë Perëndisë nuk ka të sosur”. Më pas shpjegohej se çfarë ishte jeta. “Bota, thuhet në testamentin e Mirahorit, është vend mjerimi dhe jo vend gëzimi, është vend lodhjeje dhe mundimi, është vend vuajtjeje dhe ngushtice në vetvete, është brengë e hidhërim, qëndrimi në botë është i vështirë, teprica e saj është mungesë, fitimi i saj është humbje, pasuria e saj është trashëgimi e të tjerëve, por mbarimi i saj është shkatërrues; veçse, pasuria është aq e mirë vetëm për atë njeri që gjënë e botës e përdor si kapital për Ahiret, mjet për lumturinë e vet dhe për t’ia arrirë qëllimit, sepse dynjaja është “Ara e Ahiretit” dhe shkak për të fituar grada të larta në jetën e amshuar”. “Pra, vakëfi është më e mira vepër, shpjegonte më tej testamenti, shpërblimi i së cilës i kthehet njeriut edhe në jetën e pasosur, i jep dobi dhe fitim; Vakëfi është më e madhja vepër e mirë nga pikëpamja e sevapit, më e çmueshme nga pikëpamja e prodhimit, më e bukura e tyre që lenë kujtim, për t’u vijuar dobia e fitimi çdo kohë e ditë që kalon, dhe sa herë që të përsëriten vitet e motet”.

Pyetja e njerëzve të thjeshtë ende vazhdonte: “Cilat pasuri do të linte vakëf Mirahori? “Mos vallë që të gjitha”? “Mbase vetëm disa shtëpi”? Ai kishte në Stamboll, pranë lagjes “Kuleler” (shtatë kullat) një xhami të shenjtë e të hijshme, të lartë, e artistike, themeluar për hir të Perëndisë, por kishte pranë saj edhe një shkollë etj etj. Nga vakëfnameja përjashtoheshin vetëm faltoret, varrezat, kanalet e ujit, pasuritë e të tjerëve dhe rrugët. Testamentit po i shtoheshin pasuri të tjera, njëra pas tjetrës: Hamami me ujësjellësin e ndërtuar në qytetin e Korçës dhe 7 dyqanet në lagjen “Ivlanka” të Stambollit. Pastaj Mirahori ktheu në vakëfe edhe 9 dyqane, njëri “Dyqani i Kasapit”, i cili ndodhet në Stamboll, në lagjen e xhamisë së vakëflënësit dhe kufizohet me rrugën publike, me rrugë private dhe më shkollën në dy anët. Duket se dyqanet nuk kishin të mbaruar. Për kë?

Më në fund testamenti ishte nënshkruar. Po çfarë do të bëhej me të ardhurat që do të siguroheshin nga pronat e lëna vakëfe? Njerëzit e thjeshtë ende vazhdonin të pyesnin veten. A do të kishin ndonjë mirësi kur të kishin fëmijët të sëmurë? Në vakëfnamene e tij ishte përcaktuar gjithçka: Do të paguheshin mermemetçinjtë e shkollës, të dyqaneve, hamamit, dollapit, do të bliheshin hasra, qirinj, do të paguheshin mësuesit e shkollave, kujdestarët e imaretit, njerëzit e ditur. Do të paguhej edhe meremetçiu që do të kujdesej për një nga lokalet më të mëdhenj deri në atë kohë, të quajtur “Tavë-hane”. Me të ardhurat e vakëfeve do të sigurohej blerja e grurit për të gatur dhe pjekur në furrat e Imaretit, për të blerë mish e për ta bërë gjellë në Imaret, për blerjen e mjaltit, gjalpit, uthullës e të tjera si këto. Do të paguhej bukëpjekësi, ndihmësit e tij, kuzhinieri dhe ndihmëskuzhinierët, por do të paguhej edhe ekonom-magazinieri për magazinimin e mallit dhe ndarjen e tij. Nuk ishte harruar as ndriçimi i ndërtesave të Imaretit, as shtresat e tij. Mirahori kishte vënë si kusht që në Imaret të gatuhej e të furnizohej çdo ditë, dy herë ushqim, në drekë dhe në darkë. Do të gatuhej çorbë gruri dhe orizi, ëmbëlsira etj, dhe do të hante kushdo që do të ishte i pranishëm në kohë të bukës, qoftë ai i vobektë apo, pasanik, i varfër apo i huaj, udhëtar apo banues, fëmijët e studentëve e të tjerë. “Kushdo qoftë, kishte shkruar Mirahori në testamentin e tij, çka do që të hanë, ta kenë hallall dhe u bëftë mirë”. Buka dhe gjella nuk do të mbaronin kurrë. Mbi të gjitha nuk do të mungonte kujdesi për të vobektit. Mirahori kishte caktuar njerëzit që do të siguronin drutë, që do të blinin ushqime, enët e gatimit, por edhe për kallajisjen e tyre, për mirëmbajtjen e rrugëve dhe të urave e gjithçka tjetër. Tashmë njerëzit e Korçës do të kishin mundësi të jetonin ndryshe, të punonin për vete dhe të fitonin për vete. Korça ishte shpallur “Zonë e lirë”, ashtu siç konsiderohen sot në kohët moderne këto zona. Kjo gjë kishte ndodhur para 500 vjetësh.

Kur të vobektët luten për të pasurit

Nga dita kur pronat e Mirahorit u shpallën vakëfe, kishte kaluar mjaft kohë. Korça nisi të merrte fizionominë e vet. Të vobektit luteshin çdo ditë për jetën dhe emrin e shpëtimtarit të tyre, Iliaz beun. Pas Mirahorit do të vinin njerëz të tjerë, të cilët do të dhuronin pasuritë e tyre për të mirën e qytetit. Të tillë ishin: Familja Turtulli, Mandi Terpo, Anastas Lakçe, etj. Nëse nuk do të kishin qenë bamirës emrat e tyre nuk do të përmendeshin sot kaq shpesh, ndoshta do të ishin harruar përgjithmonë, sepse lavdia i përket vetëm Perëndisë, njeriu e gjen atë vetëm te Bamirësia. “Kur vdes i biri i Adamit, thuhet në librat e shenjtë, ndërpritet puna e tij, me përjashtim të tri gjërave: Dituria, prej të cilës fitojnë njerëzia, djali i mbarë, ai që lutet për të, dhe lëmosha e vazhdueshme, që është vetë vakëfi”. (Bamirësia). Ndoshta është kjo arsyeja që ky njeri tashmë njihet me emrin e tij të madh, Khoxha Mirahor Evel, Iliaz Bej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›