E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Bashkëpunim në fushën e transportit, për vendosjen e linjave të tramit në Tiranë

26-02-2012 / Gazeta 55

Kryebashkiaku Lulzim Basha nënshkruan marrëveshje me homologun e Budapestit - Bashkia e Tiranës është e interesuar të zhvillojë në planet e saj projekte në modernizimin e transportit publik, ku Budapesti është qyteti me përvojën më të gjatë në kontinent në operimin e transportit publik në veçanti të Tramit. Këtë përvojë, Bashkia e Tiranës kërkon ta shfrytëzojmë në planet për vendosjen e linjave të tramit dhe investimit të linjave të tramit në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari i ftuar nga kryebashkiaku i Budapestit, Istvan Tarlos, për të thelluar më shumë marrëdhëniet mes dy qyteteve. Lulzim Basha e quajti të vyer përvojën e Bashkisë së Budapestit, në transportin publik, në menaxhimin urban të qëndrueshëm dhe në aspektin kulturor e historik. Krerët e bashkive ranë dakord për të intensifikuar bashkëpunimin në fushën kulturore, ku konkretisht në Budapest do të mbahet këtë vit java e Tiranës, që lidhet dhe me 100 vjetorin e pavarësisë, dhe anasjelltas në Tiranë do të mbahet në shtator java e Budapestit.
“Takimi me Kryetarin e Bashkisë së Budapestit ishte një rast shumë i mirë për të forcuar marrëdhëniet mes dy qyteteve tona. Kemi nënshkruar një marrëveshje me anë të së cilës angazhohemi për ‘Ditët e Budapestit’ në Tiranë në shtator dhe së bashku do të organizojmë edhe ‘Javën e Tiranës’ këtu në Budapest, duke marrë shkas edhe nga 100 vjetori i Pavarësisë. Kemi folur konkretisht për projekte të tilla si ato të transportit publik, ku Budapesti është qyteti me përvojën më të gjatë në kontinent në operimin e transportit publik në veçanti të Tramit, përvojë të cilën ne kërkojmë ta shfrytëzojmë në planet tona për vendosjen e linjave të Tramit dhe investimit të linjave të tramit në Tiranë. Folëm po kështu për një serë çështjesh të tjera me fokus zhvillimin ekonomik, rritjen e shanseve për punësim si qëllimi dhe objektivi kryesor i Bashkisë së Tiranës, por në këtë kuadër mundësitë për të tërhequr vëmendjen e investitorëve hungarezë drejt Tiranës dhe për të kontribuar në një klimë më pozitive të shkëmbimeve tregtare dhe të investimeve hungareze në Tiranë dhe anasjelltas”, tha Basha.
“Sot pata kënaqësinë të takoj kryebashkiakun Basha, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, një qytet i bukur i një vendi mik. Gjatë takimit zhvilluam biseda rreth mundësive për bashkëpunim në fusha të ndryshme teknike si p. sh:., ajo e transportit publik. Megjithatë bashkëpunimi midis bashkive tona nuk do të jetë vetëm teknik, por edhe kulturor. Mendoj se kultura është shumë e rëndësishme që qytetarët tanë të njihen sa më mirë me njëri-tjetrin duke i hapur rrugë kështu edhe zhvillimit të biznesit dhe turizmit. Jam i bindur që ky takim është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të thellë midis dy bashkive dhe qyteteve tona”, tha kryebashkiaku i Budapestit.
Të dy kryebashkiakët vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe ranë dakord se në këtë drejtim edhe qendrat kryesore të pushtetit vendor kanë shumë për të bërë dhe duhet të luajnë rolin e tyre.
Gjatë qëndrimit në Budapest, Basha mori pjesë në një forum të organizuar nga dhoma e biznesit të Europës Qendrore, mbi mundësitë e investimit në Tiranë. Kryebashkiaku shpalosi para biznesmenëve të Europës Qendrore shanset e mëdha që paraqet Tirana për të bërë biznes, si dhe politikat që do të ndjekë në vazhdim Bashkia për të lehtësuar klimën për investime për ta bërë Tiranën një nga qendrat më atraktive në rajon.
“Në lidhje me çështjet që kanë të bëjmë me rritjen ekonomike dhe biznesin, pyetja kryesore që unë dhe stafi ime i ngremë vetës është se “çfarë kërkon biznesi”.
Ambicia jonë është e madhe dhe duam të mbajmë Tiranë si lokomotivën e zhvillimit ekonomik. Pasi kemi parë disa nga modelet në vendet më të zhvilluara, ne kemi vendosur të marrim disa lehtësi në favor të biznesit për ta kthyer Tiranën në një nga qytetet më të favorshëm për biznes në Europën juglindore dhe më tej”, tha Basha.
Duke iu përgjigjur interesit të shumë biznesmenëve dhe përfaqësuesve të firmave të pranishëm në këtë forum, Basha foli dhe për projektet në fushën e teknologjisë së informacionit dhe planet për ta bërë Tiranën “smart city”, çka do të sjellë transparencë dhe siguri për investitorët e huaj dhe vendas.
Budapesti është një nga qytetet e para në Europë që ka futur linjën e Tramvajit në transportin publik. Basha dëgjoi nga afër përfitimet që paraqet ky sistem i transportit publik, në ruajtjen e mjedisit dhe në shërbim më cilësor ndaj qytetarëve. Ekspertët e Bashkisë së Budapestit u shprehën të gatshëm të ndihmojnë Bashkinë e Tiranës në procesin e ndërtimit dhe të menaxhimit të Tramit në kryeqytetin tonë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›