E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Bashkëpunim të gjithanshëm me administratën e Kosovës



Ministri i Brendshëm Lulzim Basha priti dje ministrin e Administratës Publike të Kosovës, Arsim Bajrami, duke konfirmuar se qeveria do të ketë një bashkëpunim të gjithanshëm me administratën e Kosovës. Ministri Basha vlerësoi stadin e tanishëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Një vëmendje të veçantë gjatë bashkëbisedimit ministri Basha u kushtoi reformave të qeverisë shqiptare për një qeverisje të vogël, moderne, të përballueshme për taksapaguesit shqiptarë, çka sjell uljen e shpenzimeve dhe kostove të panevojshme, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe në mënyrë të veçantë rritjen e transparencës ndaj publikut. “Ne do të angazhohemi për të kaluar çdo pengesë në drejtim të njehsimit të standardeve evropiane në administratën tonë publike, në fushën e prokurimeve, në procesin e trajnimit dhe rekrutimeve në administratën publike për të përafruar objektivat tona për maksimalizimin e këtyre standardeve, përmirësimin e qeverisjes dhe ecjen përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ju shpreh gatishmërinë e plotë të Ministrisë së Brendshme për bashkëpunim të gjithanshëm dhe në të gjitha nivelet me administratën publike të Kosovës”, - u shpreh Basha. Ministri Bajrami falënderoi Bashën dhe i përcolli edhe ftesën për një vizitë në Kosovë, ftesë që u pranua me kënaqësi nga ministri Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›