E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Bashkia e Tiranës garanton hipotekimin e pallateve brenda vitit 2012

28-01-2012 / Gazeta 55

Kryebashkiaku Lulzim Basha njoftoi dje se më 9 mars të këtij viti do të mbërrijnë në kryeqytet 7 arkitektë ndërkombëtarë, që do të paraqesin projektet e tyre për planin e ri urbanistik të Tiranës. Zgjatimi i Bulevardit kryesor dhe nisja e punimeve për segmentin e Unazës së madhe, projektet më të rëndësishme të 2012

Kryetari i Bashkisë së Tiranës zhvilloi dje një bashkëbisedim me organizatën  “Biznes Albania”. Në këtë takim anëtarët e kësaj shoqate kanë prezantuar kërkesat dhe sugjerimet e tyre përpara kryetarit të Bashkisë së Tiranës me qëllim përmirësimin e klimës dhe lehtësimi i kushteve për bizneset në Tiranë. Z. Basha bëri të ditur se zhvillimi ekonomik dhe punësimi mbetet prioritet i punës së administratës së re të Bashkisë së Tiranës. Një nga problemet më shqetësues ka qenë çështja e hipotekimeve, e cila sipas Bashës është çështje drejtësie dhe “kapital jo i pakët që llogaritet nga ekspertët e pavarur deri në 700 milionë euro, edhe ky injeksion kapitali do të përkthehet në punësim të qytetarëve të Tiranës, ndaj edhe Bashkia ditë e natë do të punojë që kjo të përfundojë sa më parë dhe asnjë objekt me leje nga Bashkia e Tiranës nuk do të mbetet pa hipotekuar, sado e vështirë të jetë situata, edhe sikur të na duhet t’i kërkojmë qeverisjes qendrore, të bëjë ndërhyrje në legjislacionin kombëtar dhe kjo të përfundojë doemos brenda 2012”.
Z. Basha bëri të ditur se biznesi dhe qytetarët do të jenë pjesë jo vetëm e konsultimit por edhe e vendimmarrjes së planit urbanisitik të Tiranës. “Pothuajse gjysma e grupit strategjik përbëhet nga përfaqësues të biznesit, ashtu siç ata janë pjesë e konsultimeve periodike, ashtu ju do të keni shansin individualisht, por edhe me bizneset që ju përfaqësoni, të cilat kam pasur rastin t’i takoj edhe gjatë fushatës, jo vetëm të thoni mendimin tuaj, por edhe të jeni pjesë e vendimmarrjes. Një plan urbanistik pa konsensusin sa më të gjerë dhe konsultimin sa më të plotë të biznesit është i pavlerë”, tha Basha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri të ditur se 7 nga 20 arkitektë me njohur në botë do të paraqesin më 9 mars projektet per bulevardin e ri të Tiranës para një jurie ndërkombëtare. Zoti Basha ftoi biznesin të jetë pjesë e këtij procesi, i cili do të jetë transparent. “Më 9 mars, 7 nga 20 arkitektët më të famshëm të botës do të paraqesin projektet e tyre, para një jurie ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë ne do të kemi një hap më afër, me përzgjedhjen e fituesit, nisjes së punës për ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm zhvillimi për qytetin e Tiranës, sepse përtej vlerës monumentale, urbanistike, ambientale, estetike, qytetare është një aks i fuqishëm i zhvillimit urban të Tiranës, i zhvillimit ekonomik të Tiranës”- tha Basha. Mbrojtja e konsumatorit sipas kryetarit të Bashkisë është një prioritet i Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku bëri të ditur nismën më të fundit të vendosjes së etiketave standarde të çmimeve të cilat do shtrihen edhe tek produkte të tjera siç është edhe buka. “Kjo masë pikë së pari, ka si synim të mbrojë konsumatorin, por po kështu edhe konkurrencën e lirë, si mekanizimi i vetëm që ne njohim, që vendos çmimet. Besoj se këtë ka ardhur koha, ta shtrijmë edhe tek prodhuesit e bukës. Pesha e bukës të jetë pjesë e një afishimi të përhershëm dhe të kontrolluar”- tha Lulzim Basha. Në lidhje me problemin e trafikut në Tiranë, Basha diskutoi për zgjidhjen që do t’i japi terminali i ri. Për këtë projekt Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në tetor do të përfundojë procedurat për t’i dhënë jetë realizmit të tij. “Punimet në Unazën e madhe po vijojnë. Po bëjmë azhornimin për shpronësimin e pjesës nga qendra Kristal deri te teknologjiku. Ndërkohë që projekti i bulevardit përfshinë dhe pjesën tjetër të unazës, 6.5 kilometrat nga Ura e Brarit tek Ura e Kamzës. Këto nuk janë thjesht arterie transporti, por mundësi të jashtëzakonshme për të ridimensionuar bizneset”- vijoi Basha. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës, në kuadër të politikave të zhvillimit ekonomik të kryeqytetit, do të krijojë terrenin e përshtatshëm për të afruar biznesin e Tiranës, me atë në Prishtinë, Shkup, Tetovë, me të gjithë tregun shqipfolës, me synim krijimin e një afiniteti më të madh për mallrat dhe shërbimet shqiptare. Kryebashkiaku Basha shtroi nevojën e ridimensionimit të modelit të zhvillimit ekonomik të Tiranës, me rëndësinë e tregut shqipfolës. “Tregu ynë është një treg me një specifikë të veçantë, bëhet fjalë për tregun e Republikës së Shqipërisë, por edhe për një treg tjetër që duhe t’a ndikojmë fuqishëm, siç është tregu shqipfolës. Keni 400 milion euro potencial të pashfrytëzuar me Kosovën që sot është volumi tregtar Kosovë- Serbi. Nuk dua të bëjë patriotin retorik, por dua t’ju them që është një potencial i pashfrytëzuar”- deklaroi Basha, duke u bërë thirrje bizneseve që t’i drejtojnë sytë nga Kosova. Për këtë qëllim, Basha u tha përfaqësuesve të bizneseve që të bashkërendojnë punën me kolegët në Kosovë. “Drejtojini sytë nga ky potencial, bashkërendoni me kolegët tuaj dhe shikoni se çfarë pjese të këtij bilanci tregtar mund të përmbushni ju, tani që keni edhe ë e komunikimit dhe mos mendoni vetëm për skema proteksioniste, mendoni edhe për skema ekspansioniste, në kuptimin e mirë të fjalës. Në këtë kuadër ju ftoj të bashkërendojmë së bashku, dy muajt e ardhshëm të parin ndër të shumtët aktivitete që ne si Bashki e Tiranës do të nxisim për të sjellë më afër biznesin e Tiranës me biznesin e Prishtinës, Shkupit, Tetovës, të gjithë trojeve shqiptarë, të tregut shqipfolës i cili duhet të zhvillojë një afinitet më të madh për mallrat e shërbimet shqiptare, por që duhet ta bëjë sipas rregullave të tregut, jo në mënyrë proteksioniste, pasi proteksionizimi ka rezultuar i dështuar” - deklaroi më tej kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›