Këshilli i Mandateve miraton heqjen e imunitetit për 3 deputetët e PS që do të procedohen penalisht

Kuvendi mbështet autorizimin e prokurorisë për ndjekjen penale të deputetëve Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare. Seancën e ardhshme, relatorët e raportit Viktor Gumi dhe Damian Gjiknuri do të paraqesin relacionin përkatës për heqjen e imunitetit të 3 ligjvënësve të PS
Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit i hap rrugë hetimeve të prokurorisë ndaj 3 ligjvënësve të Partisë Socialiste, të dyshuar si organizatorë të dhunës së 21 janarit. Anëtarët e Këshillit të Mandateve votuan “pro” nisjes së procedurës për ndjekje penale ndaj deputetëve Taulant Balla, Besnik Bare dhe Tom Doshi, pas kërkesës së organit të akuzës për heqjen e imunitetit, në kuadër të hetimeve të sulmit ndaj selisë së Këshillit të Ministrave. Mbledhja zgjati vetëm pak minuta, ndërsa parimisht u tregua “gatishmëri” edhe nga opozita për heqjen e imunitetit të 3 deputetëve të saj, të cilët dje nuk ishin të pranishëm në sallë për të zhvilluar seancën dëgjimore, mundësi që ua jep pika dy e nenit 118 i Rregullores së Kuvendit. Por, tre deputetët përmes një letre drejtuar Këshillit, theksonin se ishin dakord për heqjen e imunitetit të tyre, ndërkohë që gjithë sqarimet do t’i bëjnë në seancën e ardhshme plenare. Gjatë mbledhjes, kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli theksoi se janë caktuar relatorët që do të merren me hartimin e raportit që do i paraqitet Kuvendit, për të votuar kërkesën e prokurorisë për imunitetin e Tom Doshit, Taulant Ballës dhe Besnik Barajt. Këshilli ngarkoi si relatorë për hartimin e raportit demokratin Viktor Gumin dhe socialistin Damian Gjiknuri. Sipas Rregullores së Kuvendit Këshilli, brenda 4 javëve, harton raport për në seancë plenare, në të cilin në rastin konkret rekomandon miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi dhe Kuvendi vendos për heqjen e imunitetit me votim të fshehtë. Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj akuzohen nga prokuroria se kanë luajtur rol aktiv në organizimin e demonstratës së 21 janarit, rol i faktuar me pamjet filmike dhe me kontaktet e tyre të vazhdueshme me demonstruesit që organizohen të qëllojnë me gurë, dhe bomba molotov ndaj Kryeministrisë.