Basha: Bashkia e Tiranës, vendi ku abuzohet me pushtetin
I vetmi vend ku vazhdohet të abuzohet me pushtetin dhe të përdoret për interesa të ngushta personale, është Bashkia e Tiranës. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm, Lulzlm Basha, gjatë një takimi me banorët e fshatit Lubinjë, në rrethin e Gramshit. Basha solli si shembull konkret 19 lejet e ndërtimit që Rama i dha për miqtë e tij të ngushtë. Sipas Bashës, shqiptarët kanë sot dy modele, atë të ndryshimit të ofruar nga Sali Berisha dhe modelin e abuzimit të ofruar nga Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij, që për 8 vjet e mbajtën peng integrimin e vendit. Ai vuri në dukje se sistemimi dhe asfaltimi i të gjitha rrugëve rurale të vendit do të jetë prioritet i PD-së dhe aleatëve të saj në mandatin e dytë qeverisës. Basha përmendi se pasi u arrit të ndërtohej dhe rikonstruktohej infrastruktura kombëtare, duke nisur me rrugën Durrës-Kukës, Lushnje-Fier, Fier-Vlorë, Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër etj., qytetarët do të nxirren nga balta, pavarësisht se ku jetojnë, sikundër do të vazhdohet rritja e pensioneve dhe pagave të tyre.
“Të gjitha paratë që qeveria shqiptare do të grumbullojë, do të drejtohen fillimisht dhe kryesisht në ndërtimin e infrastrukturës rurale, duke filluar me ndërtimin e akseve kryesore që lidhin komunat me qendrat e tyre, me qytetet dhe akset kombëtare dhe duke përfunduar me lidhjen e çdo fshati me qendrën e komunës me rrugë të asfaltuar”, - deklaroi ai. “Në këtë mandat, - shtoi ministri Basha, - ne ia dolëm duke luftuar krimin dhe korrupsionin, i cili ishte kthyer në sistem, të dyfishojmë pensionet e fshatit, pagat e arsimtarëve, infermierëve e mjekëve dhe kjo do të jetë lehtësisht e vërtetueshme kur ata, më 1 maj, do të tërheqin pagat dhe pensionet. Reformat e ndërmarra nga kjo qeveri, - tha Basha, - të cilat janë vlerësuar nga të gjitha personalitet e larta botërore, që nga Presidenti i SHBA-ve, Kancelarja gjermane, Kryeministri italian e deri tek Presidenti francez, bënë të mundur anëtarësimin në NATO, aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat ne Bashkimin Evropian dhe, brenda vitit të parë të mandatit të dytë të kësaj mazhorance, do të bëjë të mundur heqjen e vizave ne hapësirën “Shengen”.