Greqia mbështet aplikimin e Shqipërisë në BE
Karamanlis: Mbështetja nis me liberalizimin e vizave
Berisha: Pa solidaritetin e miqve, integrimi, i pamundur
Valentina Madani
Pak orë para se Shqipëria të dorëzojë në Pragë kërkesën zyrtare të aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE, Greqia mbështet rrugën e vendit tonë drejt integrimit evropian. Mbështetja dhe solidariteti i qeverisë greke nis me datën e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat dhe me liberalizmin e vizave drejt vendeve të zonës “Shengen”. Këtë siguri dha dje në Tiranë Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, i cili nuk e fshehu as dëshirën që kishte pasur për të vizituar Shqipërinë. "Jam tepër i lumtur që jam sot këtu. Unë gjithmonë kam dashur ta bëj një vizitë të tillë tepër të rëndësishme". Kryeministri grek garantoi shqiptarët se tek shteti fqinj do të gjejnë një mik dhe mbështetës të fortë të aspiratës evropiane. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me z. Berisha, Kryeministri Karamanlis bëri të qartë se "Greqia është një mbështetës i qartë i kursit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian". Që nga kryeqyteti shqiptar, z. Karamanlis inkurajoi perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë të veçantë heqjen e vizave të shqiptarëve drejt vendeve anëtare të BE-së. "Greqia është ndër vendet e para të Bashkimit Evropian që e ka parë tepër pozitivisht regjimin e liberalizimit të vizave, ashtu sikurse është theksuar edhe në axhendën e Selanikut në vitin 2003. Që nga ajo kohë, ne i kemi ndjekur nga afër të gjitha aplikimet që bëhen, ndërkohë që dihet se në këtë proces duhet të plotësohen disa kritere të caktuara", - theksoi z. Kostas Karamanlis. Lidhur me angazhimet e Shqipërisë për sa i përket integrimit evropian, Kryeministri grek u shpreh se duhet të plotësohen të gjitha parakushtet dhe kjo gjë do ta lehtësojë përafrimin e Shqipërisë drejt BE-së. Ai përmendi se zgjedhjet parlamentare sipas standardeve, lufta kundër korrupsionit dhe respektimi i plotë i të drejtave të minoriteteve janë hapa shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Për sa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Kryeministri grek vuri në dukje se "ky është një hap historik për Shqipërinë, por njëkohësisht është edhe një hap i rëndësishëm që i shërben paqes, stabilitetit dhe marrëdhënieve të mira në rajonin e Ballkanit". Sipas tij, Greqia mbetet një mik i mirë dhe i besueshëm dhe një aleat i familjes së Atlantikut të Veriut. Karamanlis kujtoi se ka dashur gjithmonë që të vinte në Shqipëri, por vizitën e djeshme ai e konsideroi në një moment shumë të rëndësishëm, pasi vetëm para pak kohësh Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO. “Ne e mbështetëm këtë proces ashtu siç mbështesim edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke filluar me liberalizimin e vizave. Ne po ndjekim me kujdes plotësimin e kushteve që kërkohen, siç është respektimi i të drejtave të minoriteteve, lufta kundër korrupsionit dhe zgjedhjet sipas standardeve të kërkuara”, - tha Karamanlis. Nga ana e tij, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Berisha e ka siguruar homologun grek gjatë takimit kokë më kokë në selinë e Kryeministrisë se qeveria që ai drejton, është e përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin për integrimin si vend anëtar në Bashkimin Evropian. “Vendi im ka pasur një mbështetje të fuqishme nga Greqia për proceset e saj integruese në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Unë mora mbështetjen e mikut tim Karamanlis për rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian dhe liberalizimit të vizave dhe e garantova atë se qeveria ime është e vendosur të plotësojë të gjitha kërkesat që lindin në këtë drejtim, duke filluar me vullnetin për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - u shpreh Berisha. Kryeministri shqiptar vlerësoi mbështetjen e fuqishme të Greqisë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, si dhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. “Ne, - tha ai, - kemi pasur gjatë këtyre viteve mbështetjen më të fuqishme dhe solidaritetin më të madh nga Greqia dhe vendet e tjera mike, pa të cilat progresi i Shqipërisë në drejtim të NATO-s dhe procesi i saj drejt integrimit evropian do të ishte i pamundur". Dy kryeministrat në takimin që patën në godinën e Këshillit të Ministrave diskutuan edhe për çështje të tjera siç janë pensionet e emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe ato grekëve në Shqipëri për të cilët së shpejti do të firmosin edhe një tjetër marrëveshje. Kryeministri Karamanlis u deklarua në favor të rritjes se investimeve greke në Shqipëri ndërsa për sa i përket minoritit grek në vend, i cili për Karamanlis është nyja më e rëndësishme që lidh dy vendet, Kryeministri Berisha garantoi se qeveria e tij do të shtojë investimet në komunat ku ata jetojnë me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës. Qëllimi kryesor i vizitës së Kryeministrit grek në Shqipëri, Kostas Karamanlis, ishte firmosja e marrëveshjes për vendosjen e kufijve të rinj detarë mes dy vendeve, dokument i cili u firmos nga dy kryediplomatët, Dora Bakojanis për Greqinë dhe Lulzim Basha për Shqipërinë. Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, mbërriti dje në mesditë në Tiranë për një vizitë zyrtare. Ai u prit nga Kryeministri Sali Berisha në një ceremoni të veçantë që u pasua nga takimi kokë më kokë, firmosja e marrëveshjes për njohjen e kufijve detarë mes dy vendeve, konferenca e përbashkët për shtyp e dy kryeministrave dhe dreka zyrtare e z. Berisha në vilën qeveritare për nder të ardhjes së Kryeministrit grek në Tiranë.
Karamanlis, Topi: Mbështetja jonë, e qëndrueshme
Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, e siguroi dje Presidentin Bamir Topi se mbështetja e Greqisë ndaj Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e qëndrueshme edhe më tej. Presidenti Topi dhe Kryeministri Karamanlis gjatë takimit në Pallatin e Brigadave ndanë të njëjtën pikëpamje se "e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë në gjirin e familjes evropiane dhe kjo është garancia absolute për qëndrueshmërinë dhe begatinë e këtij rajoni". Kreu i shtetit i përcolli z. Karamanlis kënaqësinë e veçantë të pritjes, për herë të parë, në një vizitë zyrtare në Tiranë, të Kryeministrit të një vendi mik, një vendi partner strategjik dhe së fundi një vendi aleat në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Z. Topi, pasi i vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet e gjithanshme që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë, e njohu Kryeministrin Karamanlis me disa nga reformat integruese të Shqipërisë. Ai u ndal sidomos në përgatitjet e klasës politike shqiptare për realizimin me sukses të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, përballimi me sukses i të cilave do të jetë një hap i sigurt dhe provë e rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në BE. Intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh në aspektin ekonomik u nënvizua si një nevojë dhe perspektivë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Presidenti Topi vuri në dukje klimën e përshtatshme dhe mundësi të gjera e konkrete që Shqipëria ofron për investitorët e huaj, duke nxitur kështu më tepër investime të bizneseve prestigjioze greke në vendin tonë në fusha të ndryshme, si dhe rritjen e vëllimit të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Kreu i shtetit vuri në dukje integrimin e suksesshëm të bashkatdhetarëve tanë në Greqi duke nënvizuar faktin se mbarëvajtja dhe mirëqenia e emigrantëve shqiptarë në shtetin helen shërben si urë e fortë lidhëse miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve dhe popujve tanë, sot dhe në të ardhmen. Duke u ndalur tek situata në rajonin ballkanik, Presidenti i Republikës ritheksoi mbizotërimin e një klime të qetë dhe bashkëpunuese, duke shprehur bindjen se të gjitha vendet e rajonit tonë janë të projektuara qartë drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe në gjirin e familjes së madhe evropiane. Kryeministri Karamanlis, duke nënvizuar përparimin e madh të bërë gjatë viteve të fundit si për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe, ashtu dhe zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, shprehu mbështetjen për integrimin euroatlantik të Shqipërisë.
Kuvend, Karamanlis: Pse pranova ftesën e mikut tim Berisha
Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, mbajti dje një fjalë përshëndetëse para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ku theksoi në fillim të fjalës së tij se e priste vizitën e tij në Shqipëri. “Dëshiroja prej kohësh të realizoja këtë vizitë të rëndësishme dhe për këtë arsye e pranova me kënaqësi të madhe ftesën që më drejtoi miku im, Kryeministri zoti Sali Berisha”, - tha Karamanlis, duke vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe. Kryeministri grek tha përpara deputetëve shqiptarë se vendi i tij do të mbështesë aspiratën e Shqipërisë për në BE si dhe liberalizimin e shpejtë të vizave. “Mbështetja greke konsiston gjithashtu edhe në qëndrimin tonë pozitiv kundrejt perspektivës së liberalizimit të regjimit të vizave”, - shtoi ai. Karamanlis vlerësoi marrëveshjet për kufirin detar dhe të ngritjes së varrezave përkujtimore të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë kohës së luftës. Në veçanti, ai tha se një urë lidhëse mes dy vendeve është popullsia etnike greke që jeton në Shqipëri. “Në këtë kuadër marrëdhëniesh nënvizojmë dhe rëndësinë e minoritetit etnik grek të Shqipërisë, i cili përbën një urë historike dhe thelbësore miqësie midis dy vendeve tona”, - deklaroi Kryeministri grek. Përpara deputetëve shqiptarë, Karamanlis tha se qeveria e tij do të jetë në krah të emigrantëve shqiptarë atje. “Do të dëshiroja sigurisht t'i referohesha edhe ndihmës së emigrantëve ekonomikë shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë gjatë dy dekadave të fundit në Greqi, duke kontribuar si në drejtim të tregut grek të punës, ashtu edhe për forcimin e ekonomisë të Shqipërisë me remitancat e tyre”, - tha Karamanlis, duke shtuar më tej se hyrja e vendit të NATO ka krijuar një realitet tjetër për Shqipërinë. Në fund të fjalës së tij, Kryeministri grek tha se erdhi në vendin tonë si mik dhe shtoi se “Greqia ushqen gjithmonë ndjenja miqësore kundrejt Shqipërisë dhe kombit shqiptar”. Në Kuvend përshëndeti ardhjen e Kryeministrit grek edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila tha se të dyja vendet sot ndodhen në një stad tjetër.
Topalli-Karamanlis: Shqipëria, integrim të mëtejshëm
Shqipëria është në rrugën e mbarë të integrimit të mëtejshëm. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në takim Kryeministrin e Greqisë, Kostas Karamanlis, ku theksi u vu në integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE dhe liberalizimin e vizave. Topalli tha se politika e jashtme shqiptare është përqendruar në liberalizimin e vizave, ndërsa nga e tij, Kryeministri grek dha të gjithë mbështetjen e duhur për këtë proces. “Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë po shfaqen në një dimension të ri. Kini besim tek mbështetja jonë e plotë”, - tha Kryeministri i Greqisë, Karamanlis, në takimin me kryetaren e Kuvendit, Topalli. “Jam veçanërisht i kënaqur, - tha ai, - që vizita ime vjen në një moment historik për Shqipërinë, anëtarësimi në NATO. Marrëdhëniet tona po njohin një nivel nga më të mirët e historisë së bashkëpunimit dypalësh”, - vijoi ai. “Ne mbështesim Shqipërinë në procesin e saj integrues në BE dhe besoj se të gjithë fqinjët dhe vendet e tjera të BE-së duhet të jenë në të njëjtin mendim. Po ashtu, qeveria e Greqisë ndjek nga afër procesin e liberalizimit të vizave të Shqipërisë me vendet e BE-së dhe ju shpreh qëndrimin tonë pozitiv në këtë perspektivë”, - deklaroi në takim Karamanlis. Nga ana e saj, Topalli tha se Shqipëria do të bëjë sot aplikimin për në BE. “Tashmë, - tha Topalli, - politika jonë e jashtme është fokusuar në liberalizimin e vizave. Shqiptarët pas izolimit 50-vjeçar, pas vështirësive për të lëvizur të lirë në këta 17 vjet, meritojnë të lëvizin të lirë për të takuar të afërmit e tyre në Greqi, Itali e në vende të tjera apo të rinjtë të lëvizin si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre në këtë kohë globalizmi”.
Aplikimi, Berisha dorëzon sot kërkesën
Kryeministri Berisha dorëzon sot në Pragë aplikimin për anëtarësim në BE. Sipas një njoftimi për shtyp të Kryeministrisë, z. Berisha niset sot për një vizitë në Pragë, Çeki, ku i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, dhe ministrja e Integrimit, zonja Majlinda Bregu, do të dorëzojë aplikimin për anëtarësim në BE të Republikës së Shqipërisë Kryeministrit të Republikës së Çekisë, zotit Mirek Topolanek. Gjatë kësaj vizite njëditore, Kryeministri Berisha do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin çek, Mirek Topolanek, dhe me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, zoti Michael Leigh, takim i cili do të pasohet nga bisedime mes dy delegacioneve. Në përfundim të bisedimeve do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp ku Kryeministri Berisha, Kryeministri i Çekisë, zoti Topolanek dhe Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, zoti Michael Leigh, do t’i përgjigjen interesimit të mediave lidhur me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, konferencë kjo që do të pasohet nga akti ceremonial i dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE të Republikës së Shqipërisë nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Kryeministrit të Republikës së Çekisë, zotit Mirek Topolanek. Pas kësaj ceremonie, Kryeministri i Çekisë, zoti Mirek Topolanek, shtron një drekë zyrtare për nder të Kryeministrit Berisha dhe të delegacionit shqiptar që e shoqëron atë. Vizita e Kryeministrit Berisha në Çeki do të vijojë me ceremoninë solemne të vendosjes së kurorës në Pod Emauzy Square. Më pas, Kryeministri Berisha do të pritet në Kështjellën e Pragës nga Presidenti i Republikës së Çekisë, Z. Václav Klaus, do të zhvillojë një takim me kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Republikës së Çekisë, z. Miloslav Vlček, si dhe me zv.presidentin e Senatit të Parlamentit të Republikës Çeke, z. Jiří Liška.
“Minoriteti, nyja lidhëse me Shqipërinë”
Minoriteti grek është nyja që lidh ngushtë Greqinë me Shqipërinë. Këtë pohoi dje në Tiranë Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, gjatë takimit që zhvilloi me homologun shqiptar, Sali Berisha. Kryeministri shqiptar Sali Berisha, pasi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, e garantoi homologun e tij grek, Kostas Karamanlis, se do të mbështesë dhe mbrojë minoritetin grek në të gjitha aspektet. Berisha u shpreh se mes shumë temave të ndryshme, ishin dhe ajo e minoritetit grek në Shqipëri dhe ajo e emigrantëve shqiptarë në Greqi. “Diskutuam që dy ministritë përkatëse të merren me çështjet e pensioneve dhe sigurimeve të emigrantëve shqiptarë në Greqi. E siguroj Kryeministrin për mbështetjen që qeveria ime do t’i japë minoritetit grek në të gjitha aspektet”, - tha Berisha në fjalën e tij ku e cilësoi Karamanlis si mikun e tij dhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi si më të mirat e të gjitha kohërave. Vetë zoti Karamanlis pas përshëndetjes që bëri lidhur me ftesën që iu bë për të vizituar Shqipërinë, la të kuptohej se interesi i tij ishte minoriteti dhe të drejtat e tyre në Shqipëri. Në konferencën për shtyp Karamanlis theksoi se “minoriteti grek në Shqipëri është një nyje shumë e rëndësishme lidhjeve Shqipëri-Greqi”. Kryeministri Karamanlis shtoi në këtë prizëm se marrëveshjet e nënshkruara dje dhe ajo për varrezat greke në Shqipëri janë hapat që dëshmojnë për parimin e bashkëpunimit të mirë mes dy vendeve. “Marrëveshjet janë një hap më përpara mes dy vendeve dhe bashkëpunim i fuqishëm mes tyre”, - theksoi Karamanlis, duke shtuar se një bashkëpunim politik dëshmon qartë bashkëpunimin e mirë e dy popujve në të gjitha sferat e mundshme. Mes të tjerash, Kryeministri grek përshëndeti kontributin e emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Greqi-Shqipëri, asnjë çështje pezull
Mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka çështje të mbetura pezull, përkundrazi, ato janë zgjidhur nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit. Ky është konstatimi i bërë dje nga Kryeministri Sali Berisha gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin grek, Kostas Karamanlis, i cili viziton për herë të parë Shqipërinë. Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve, z. Berisha u shpreh se "dy vendet po bashkëpunojnë ngushtë në të gjitha fushat, ndërkohë që Greqia po inkurajon investitorët grekë për të investuar në Shqipëri". "Më shumë se 1 bilion dollarë amerikanë janë investuar në Shqipëri nga investitorët grekë dhe këto investime janë kryer në disa fusha, si telekomunikacion, arsim, kujdes shëndetësor, miniera etj.", - tha Kryeministri Berisha.
Në këtë drejtim, ai shprehu mirënjohjen për financimin që po u bëhet nga pala greke disa projekteve në infrastrukturë në vendin tonë dhe konkretisht segmentit rrugor Konispol-Sarandë.