E Shtunë, 31 Tetor 2026

The Guardian: Turizmi 2009, viti i Shqipërisë



Prestigjiozja britanike, “The Guardian”, shkruante dje se destinacioni turistik për vitin 2009 është Shqipëria. Në një shkrim special në këtë të përditshme, ku përshkruhet viti 2009, Shqipëria cilësohet si një nga vendet e top-listës, që njihen ndryshe si “destinacionet e parajsës për këtë verë”. Gazetari Mat Karroll shkruan se plazhet boshe, çmimet e lira dhe bregdeti i Adriatikut është patjetër ajo çka mund të kërkojë një turist. Sipas tij, bukuria e bregdetit, e maleve dhe rrënojave arkeologjike nuk mund të lërë askënd indiferent. “Të gjithë duan të vijnë këtu, ndaj edhe numri i turistëve vjen gjithmonë në rritje”, - shprehet Karrol. Gazeta “The Guardian” tregon shembuj të ndryshëm se si turistët e huaj, gjithmonë në rritje për nga numri, kërkojnë të vizitojnë Shqipërinë, të eksplorojnë bukuritë e një vendi, që kohë më parë ishte më i varfëri në Evropë. Gazetari citon të gjitha vendet të cilat një turist që vjen për herë të parë në Shqipëri duhet t’i vizitojë, në mënyrë që të vërtetojë bukurinë dhe lashtësinë e këtij vendi. Karrol shkruan se riviera shqiptare është 300 milje nga Vlora në Butrint. Ai jep edhe këshilla për të kaluar sa më mirë pushimet në Shqipëri, duke përmendur turizmin kulturor, veçanërisht arkeologjinë. Orikumi, sipas tij, është një fshat i lashtë i ndërtuar në vitet 600 para Krishtit dhe rrënojat arkeologjike janë dëshmi e historisë ndër shekuj. Duke ecur më pas me malet e Çikës, Llogaranë, Sarandën e Butrintin, e mbrojtur nga UNESCO. “Gjithçka është e bukur, investitorët duhet të luftojnë me njëri-tjetrin për të vënë dorë mbi këto zona”, - përfundon shkrimi i “The Guardian”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›