E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e Karamanlis, ja marrëveshja Shqipëri-Greqi

Në bazë të marrëveshjes, kufiri ujor është ndarë në masë të barabartë për të dyja shtetet, me rreth 150 pika ndarëse (nga Korfuzi deri në Vlorë).

TIRANË- Vizita e Kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, përfundoi dje me një marrëveshje të nënshkruar mes dy ministrave të jashtëm, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis, "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare".

Në bazë të marrëveshjes, kufiri ujor është ndarë në masë të barabartë për të dyja shtetet, me rreth 150 pika ndarëse (nga Korfuzi deri në Vlorë).

Në hyrje të marrëveshjes konfirmohet dëshira e mirë e dy vendeve për të formuar lidhjet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit mes tyre, si dhe vetëdija e nevojës për të delimituar me saktësi hapësirat detare, mbi të cilat dy vendet ushtrojnë apo do të ushtrojnë sovranitetin, të drejtat sovrane apo juridiksionin e tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

"Kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë.

Në mënyrë më specifike, vetëdija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale ashtu edhe ishullore), nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare",- thuhet në nenin 1 të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Palët angazhohen të marrin përsipër për të zgjidhur në rrugë diplomatike, çdo mosmarrëveshje që mund të lindë në lidhje me interpretimin apo zbatimin e saj.

Ekspertët e Ministrisë së Punëve të Jashtme janë shprehur se kjo marrëveshjeje është e njëjtë në thelb me atë që Shqipëria ka nënshkruar me Italinë në vitin 1992.

Baza juridike në të drejtën ndërkombëtare për përcaktimin e Shelfit Kontinental, gjendet në Konventën për të Drejtën e Detit (e njohur ndryshe si Konventa e Montego Bay, sipas emrit të vendit ku u përfundua në vitin 1982), e cila ka hyrë në fuqi më 16 nëntor 1994.

Greqia është palë që prej 21 korrikut 1995, ndërsa Shqipëria që nga data 23 qershor 2003. Duke qenë se të dyja vendet janë palë në këtë traktat ndërkombëtar, sipas nenit 83 të Konventës, ato duhet "të përcaktojë me marrëveshje mbi bazat e ligjit ndërkombëtar, kufirin e Shelfit Kontinental".

Në këtë rast, Shelfi Kontinental përfshin shtratin e detit dhe tabanin e zonës nënujore që shtrihet përtej detit të tij territorial, përgjatë zgjatimit natyral të territorit të tij tokësor deri në kufirin më të largët të kufirit kontinental, ose në një distancë prej 200 milje detare nga vijat bazë, nga të cilat është matur gjerësia e detit territorial, kur kufiri kontinental nuk shtrihet deri në këtë distancë. Shelfi përfshin zgjatjen nënujore të masës së tokës dhe përbëhet nga fundi i detit, uljet dhe ngritjet e tij.

Ai nuk përfshin masën ujore dhe ajrore mbi të. Parimi bazë i përdorur e që është edhe metoda më e përhapur në përfundimin e marrëveshjeve të tilla është ai i bashkëlargësisë, d.m.th. përcaktimi i një vije ndarëse me largësi të njëjtë nga të gjitha pikat e vijës bazë të shteteve bregdetare.

------------------------------------------------------------------------------------

Një orë para konferencës për shtyp, njoftohet se përfaqësuesit e medias nuk duhet të bëjnë asnjë pyetje.


Berisha-Karamanlis, ndalohet
media të bëjë pyetje

TIRANË- Një ditë para vizitës së Kryeministrit të Greqisë, Kostas Karamanlis, në Tiranë, agjenda zyrtare e shpërndarë nga Kryeministria njoftonte se, në fund të takimeve mes dy kryeministrave, atij grek dhe atij shqiptar, do të kishte edhe një konferencë për shtyp.

Por, vetëm një orë para se të përfundonin të gjitha takimet në Kryeministri, u njoftua se nga dy kryeministrat do të kishte vetëm një deklaratë për shtyp, dhe se nuk do të lejohej asnjë pyetje nga mediat.

Madje, për këtë fakt është kujdesur jo pak edhe zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Mecani, e cila ka kujtuar disa herë përfaqësuesit e medias se nuk ishin të lejuar të bënin pyetje.

Kjo u duk qartë edhe në masat që ata kishin marrë. Si asnjëherë tjetër, në zyrën e konferencave për shtyp, aty ku më parë zhvilloheshin mbledhjet e qeverisë, ishin zhdukur gjysma e karrigeve, ku në raste takimesh të rëndësishme, uleshin të gjithë përfaqësuesit e medias.

Punonjës të Kryeministrisë kishin vendosur vetëm disa prej tyre. Madje, zëdhënësja e Kryeministrisë kujdesej që në ato pak vende bosh të akomodoheshin, pikë së pari, gazetarët e mediave greke, që shoqëronin Kryeministrin e Greqisë, Kostas Karamanlis.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm edhe këshilltarët e Kryeministrit, si dhe zyrtarë të lartë të administratës.

Po gjatë takimeve të djeshme, në ambientet e Kryeministrisë, u vunë re masa të larta sigurie, që të kujtonin vizitën e ish-Presidentit të SHBA-së, Xhorxh W. Bush. Kontrolle të njëpasnjëshme, ndërsa kati i dytë i Kryeministrisë, aty ku do të mbahej edhe deklarata për shtyp, ishte mbushur me punonjës të Gardës.

Deklarata e përbashkët për mediat ishte e vetmja gjë që mund të mësoje nga takimet e zhvilluara. Burime nga Kryeministria deklaruan dje se, gjatë takimeve u diskutua vetëm për ato çështje që u bënë publike, dhe për pasojë interesimi i medias nuk u cilësua i domosdoshëm për të mësuar tej qëndrimeve publike.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›