Surpriza e KE-së, vizat mund të hiqen më 1 korrik
Deklarata, nga zyrtari i lartë, Erhard Busek
Çekia, lobim për heqjen e vizave me Ballkanin
Komisioni Evropian ka gati surprizën për vendet e Ballkanit Perëndimor lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, mund të lëvizin lirshëm në hapësirën e BE-së pas datës 1 korrik 2009. Deklarata surprizë u bë dje nga austriaku Erhard Busek, i cili është këshilltar për zgjerimin në presidencën çeke. Busek tha se Çekia po lobon tek të gjitha vendet anëtare të BE-së që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më parë, duke filluar nga data 1 korrik. Diplomati austriak, njohës mjaft i mirë i Ballkanit, tha se Çekia do të bëjë gjithçka që mundet që ky regjim të hiqet në fund të këtij 6-mujori. Ai theksoi se presidenca çeke po ushtron presion ndaj vendeve të bllokut 27-anëtarësh për heqjen e vizave e po ashtu, edhe ndaj vendeve të Ballkanit që të përmbushin kushtet e kërkuara. “Për momentin duket se deri në fund të 2009-s regjimi i vizave do të hiqet”, - deklaroi Busek. Presioni i bërë mbi vendet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave, ka qenë tepër i fortë kohët e fundit. Mjaft ekspertë shprehen se ndoshta një gjë e tillë mund të mos ndodhë në muajin korrik, por në fund të këtij viti ose duke filluar nga data 1 janar e vitit 2010, lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në hapësirën “Shengen” do të jetë një realitet i pakthyeshëm. Asnjë nga vendet e BE-së nuk ka më skepticizëm për çështje reformash, madje problemet kanë të bëjnë më shumë me vendet e BE-së dhe krizën ekonomike që ka prekur vendet anëtare. Vende si Shqipëria shihen të konsoliduara dhe liberalizimi i vizave shihet si mundësi për konsolidimin e Ballkanit si rajon në paqe. Njëkohësisht, pak ditë më parë, 8 vende të BE-së, në një letër dërguar KE-së, kërkuan heqjen urgjente të vizave me të gjitha vendet e Ballkanit. Një kërkesë e tillë është përkrahur disa herë edhe nga komisioneri për zgjerim, Olli Rehn, i cili dukshëm ka dalë pro heqjes regjimit të vizave me të gjitha vendet e Ballkanit. Një lobim ka bërë edhe ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini.
Vetëm 1 javë më parë, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë ku kërkoi që vizat me vendet e Ballkanit të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur. Rezoluta parashikon që vendet e Ballkanit më parë të heqin vizat me njëri-tjetrin. Përpara këtij integrimi, ku vlerësohet se secili vend duhet të përmbushë kriteret e Kopenhagenit, parlamentarët evropianë kërkuan me një shumicë dërmuese që liberalizimi i vizave me këto vende duhet të bëhet urgjent. Një nga katër pikat e rezolutës shprehet se liberalizimi sa më i shpejtë i vizave do t’i hapte rrugë përshpejtimit të integrimit dhe do të stabilizonte këto vende. Rezoluta thotë se fillimisht duhet të zgjidhen përfundimisht çështjet konfliktuale në Ballkan; së dyti, të plotësohen kriteret dhe më pas të liberalizohen tërësisht vizat; së treti, të ketë një bashkëpunim me Gjykatën e Hagës dhe së katërti, u kërkua një bashkëpunim ndërparlamentar mes vendeve të Ballkanit dhe Parlamentit Evropian.