E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli bllokon raportet e institucioneve kushtetuese

Asnjë prej 16 raporteve vjetore nuk ka kaluar në seancë plenare. Më 26 shkurt duhet të raportonte KKRT-ja

Vetëm raporti i BSH-së është lexuar, por nuk është debatuar. Në kalendarin trejavor nuk është përfshirë asnjë raport

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ka "harruar" së diskutuari në seancë plenare raportet e organeve kushtetuese dhe institucioneve të ngritura me ligj.

Kur kanë kaluar plot dy muaj nga data kur edhe ishte programuar të lexohej dhe debatohej raporti i parë, ai i Këshillit Kombëtar i Radios dhe Televizionit, legjislativi ka dëgjuar në seancë plenare vetëm njërin prej 18 raportimeve, atë të Bankës së Shqipërisë, edhe ky vetëm sa është lexuar, pa mundur të diskutohet.


Raportimi


Një punë e shkuar kot. Kështu mund të konsiderohet mundi i të gjitha institucioneve shtetërore që kanë detyrimin të raportojnë në Kuvend për punën e tyre njëvjeçare. Megjithëse në korrektësi me programimin e bërë nga Kuvendi në lidhje me kohën se kur duhet të dorëzonin raportet e tyre, të 18 institucionet që e kanë këtë detyrim ligjor, ende nuk kanë mundur të ballafaqohen me deputetët në seancë plenare, për punën që kanë kryer gjatë vitit 2008.

Kjo pasi Kryeparlamentarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, megjithëse i ka përfshirë në kalendarin e punimeve të trejavorit që lamë pas, ka shmangur deri më tani dëgjimin dhe diskutimin e tyre në seancë.

Një gjysmë fati e ka patur vetëm institucioni i Bankës së Shqipërisë, institucion i cili ka mundur të bëjë prezentë në seancë të gjithë punën e tij të zhvilluar gjatë vitit që lamë pas, por edhe ky pa mundur që të përballet me qëndrimin e deputetëve.

Ndërkohë që, sipas kalendarit të miratuar nga vetë Kryetarja e Kuvendit në fillim të këtij viti, është përcaktuar dhe rendi kohor kur këto institucione duhet të dorëzonin raportet në Kuvend dhe kur duhet t'i raportonin në seancë plenare.

Sipas këtij kalendari, institucioni i parë që duhet të dorëzonte raportin ka qenë KKRT-ja, e cila duhet ta depozitonte në Kuvend, më 4 shkurt, ndërsa duhet ta lexonte dhe mbronte në seancë plenare më datën 26 shkurt.

Pastaj vijnë me radhë institucionet e tjera, si Komisioni i Shërbimit Civil, Autoriteti i Konkurrencës, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe për të përfunduar me institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila duhet ta depozitonte raportin më datën 8 prill dhe duhet ta lexonte në seancë më datën 30 të këtij muaji.


Kalendari

Ajo që është më e keqja në këtë çështje, është fakti se këto institucione jo vetëm që nuk janë thirrur për të raportuar sipas parashikimit që kishte bërë vetë institucioni i Kuvendit, por as nuk janë përfshirë në kalendarin trejavor të punimeve të këtij institucioni, që përfshin datat 23 prill deri më 15 maj.

Gjatë miratimit të këtij kalendari, ditën e enjte, Kryetarja e Kuvendit, pas propozimit të deputetit Bujar Leskaj, pranoi të përfshijë në kalendarin e punimeve vetëm diskutimin e raportit të Bankës së Shqipërisë.

Ndërkohë që drejtuesit e grupit parlamentar socialist, të kontaktuar nga "Shekulli" e kanë konsideruar këtë harresë të qëllimshme, pasi, sipas tyre, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, po përpiqet të shmangë leximin dhe debatimin e tyre në seancë plenare, me të vetmen arsye për të evituar çdo kritikë që mund t'i vijë punës së qeverisë në këtë prag zgjedhjesh, nga këto raporte.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›