E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Bashkia ofron stazh dhe punë për studentët më të mirë

TIRANË- Gjashtë studentët më të mirë, ndër 247 të rinjtë që u diplomuan sot nga Universiteti Politeknik i Tiranës, për Masterin Shkencor, do të punësohen në administratën e Bashkisë së Tiranës.

Ndërsa deri më 15 dhjetor 20 studentët më të mirë në gjashtë fakultetet e UPT-së do të ndjekin një stazh profesional prej 3- 6 muajsh në strukturat bashkiake me një pagesë minimale prej 10 mijë lekësh, konfirmoi kryebashkiaku Lulzim Basha.

I pranishëm në këtë ceremoni kreu i Bashkisë së Tiranës tha se ka ardhur koha që tashmë premtimet të bëhen realizime, për një kryeqytet me më shumë mundësi punësimi për të rinjtë e sapodiplomuar. Basha ftoi studentët të kontribuojnë për Planin Urbanistik.

“Më lejoni pikësëpari t’ju uroj gjithsecilin prej jush dhe t’iu shpreh bindjen dhe besimin tim të plotë se sëbashku na pret një rrugë e shkëlqyer për të realizuar me sukses ambiciet, planet dhe ëndrrat tuaja. 6 studentët më të mirë, të gjashtë Fakulteteve që sot marin një diplomë Master i pret një vend pune në Bashkinë e Tiranës. Brenda 15 dhjetorit 20 studentët më të mirë të cdo Fakulteti i pret një vend stazhi me pagesë minimale prej 100 mijë lekësh të vjetra, por me një gjatësi prej 3 deri në 6 muaj në Bashkinë e Tiranës dhe në institucionet e vartësisë. Për të gjithë të sapo diplomuarit e tjerë që ndodhen sot në këtë sallë iu jap fjalën se brenda 1 marsi të vitit tjetër programi i stazheve do të jetë i instaluar plotësisht dhe gjithsecili prej jush që zgjedh apo dëshiron të kryeje një stazh pune 3 apo 6 muaj në institucione publike apo private do të ketë një mbështetje financiare simbolike prej 100 mijë lekësh të vjetra nga Bashkia e Tiranës dhe subjekteve të tjera vartëse. Sëbashku një punë e madhe për të realizuar një nga premtimet tona kryesore Parkun Tekonolgjik”,- premtoi kryebashkiaku Basha.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›