E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestrohet në Vlorë trageti italian, trafikoi tonelata drogë

21/10/2011  Ekzekutohet vendimi i Antimafies së Leçes. “Veronica Line”, 2 milionë euro pronë e vëllezërve Primiçeri

TIRANE- Trageti italian i udhëtarëve “Veronica Line” që kryen udhëtime nga porti i Vlorës në Bari dhe Brindisi është sekuestruar me një urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se nëpërmjet tij janë trafikuar tonelata drogë të llojit heroinë dhe hashash. Vendimi për sekuestrimin është marrë gjatë ditëve të kësaj jave dhe se momentalisht trageti që mendohet se ka një shifër monetare prej rreth 2 milionë eurosh, është bllokuar në portin detar të Vlorës. Momentalisht trageti “Veronika Line” qëndron i ankoruar në portin e Vlorës dhe për shkak të urdhrit të sekuestrimit, ai nuk mund të kryejë asnjë udhëtim në drejtim të Italisë. Gazeta “Metropol” zbulon se trageti i bllokuar është në pronësi të vëllezërve italianë Salvatore, Osvaldo dhe Ezio Primiçeri, të cilët dy muaj më parë janë prangosur në një operacion të organizuar nga Prokuroria e Antimafias së Leçes në Itali. Ka qenë pikërisht kjo e fundit që nëpërmjet një letërporosie i ka kërkuar prokurorëve të Krimeve të Rënda, që të sekuestrojnë menjëherë tragetit për shkak se ekzistonte mundësia e largimit të tij. Pas kryerjeve të procedurave të nevojshme trageti do i dorëzohet si provë zyrës së Antimafies në Leçe.

Trafiku i drogës Shqipëri-Itali me anije udhëtarësh dhe kërkesa e Antimafies

Më konkretisht nga kjo kërkesë autoritetet shqiptare informohen se Drejtoria rajonale Antimafia në Leçe është duke zhvilluar hetime lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi i përbërë nga shtetas shqiptarë dhe italianë, të cilat në bashkëpunim midis tyre në formën e grupit të organizuar kanë trafikuar gjatë vitit 2009 nga Shqipëria për në Itali sasi të mëdha lënde narkotike të llojit heroinë dhe canabis sativa vepra penale këto të parashikuara nga nenet 283 dhe 333 e 334 të Kodit Penal. Konkretisht shtetasit shqiptarë Elton Ismaili, Robert Jahajt, Ermal. S dhe S.G kanë bashkëpunuar në këtë veprimtari kriminale me shtetasit italianë Ezio dhe Salvatore Primiçeri si dhe shtetas të tjerë italianë. Këta të fundit kanë pasur në pronësi shoqëri transporti ndërkombëtar përfshi tragetin e linjës Shqipëri- Itali “Veronica Line” dhe kamionë transporti ndërkombëtar. Lënda narkotike sigurohej në Shqipëri nga shtetasit e përmendur dhe kryesisht në marrëveshje paraprake me shtetasit italianë dërgohej në Itali. Kjo lëndë e llojit heroinë dhe hashash futej në Itali e fshehur në bordin e rimorkiove të kamionëve të vënë në dispozicion nga vëllezërit Primiçeri. Kamionët “kapërcenin” detin Adriatik nëpërmjet tragetit “Veronica Line” dhe pas mbërritjes në Itali lënda dërgohej në magazinat e vëllezërve Primiceri në Casarano dhe në vende të tjera. Më pas lënda shpërndahej nëpërmjet korrierëve në gjithë territorin e Italisë.

Vendimi i sekuestros

Gjyqtari i hetimit paraprak të gjykatës së Leçes në datën 1 korrik 2011 ka nxjerrë një urdhër për masë sigurimi me burg për 13 persona të arrestuar mes tyre dhe disa shqiptarë e italianë, që momentalisht dyshohet se fshihen në Shqipëri. Ky urdhër është shoqëruar me një urdhër të dytë, për sekuestrimin parandalues të një sërë pasurish të konsideruara si të ardhura të produkteve të veprës penale. Gjykata italiane në vendimin e saj argumenton se rrethanat e provuara gjatë hetimit nuk lejojnë dyshime mbi faktin se të mirat materiale të luajtshme dhe të paluajtshme të vëllezërve Primiceri, janë përdorur për transportimin, ruajtjen e shpërndarjen e drogës e që disponimi i mëtejshëm i pasurive mund të përkeqësojë e zgjasë efektin e krimit për të cilin po procedohet ose mund të lehtësojë kryerjen e mëtejshme të tij. Mes pasurive të përfshira në urdhrin e sekuestrimit është dhe anija-traget “Veronica Line” që aktualisht ndodhet e ankoruar në portin e Vlorës dhe ekziston rreziku konkret dhe i afërt që kjo anije të largohet drejt ndonjë destinacioni të panjohur dhe në këtë mënyrë ti shpëtojë ekzekutimit të masës së sekuestrimit me qëllim konfiskimin e saj. Nisur në këto kushte trageti është sekuestruar menjëherë nga Prokuroria.

Anëtarë të grupit

1. Salvatore Primiceri 47 vjeç, i arrestuar

2. Ezio Primiceri 46 vjeç, i arrestuar

3. Osvaldo Primiceri 43 vjeç, i arrestuar

4. Luigi Cosimo 49 vjeç, në kërkim

5. Elton Ismaili i arrestuar

6. Robert Jahaj i arrestuar

7. Domenico Bassi i arrestuar

8. Gramos Zyko i arrestuar

9. Kreshnik Hysaj i arrestuar

10. Primiceri Salvatore i arrestuar

11. Alban Dushku i arrestuar

12. Alfred Gjuzi i arrestuar

13. S.G në kërkim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›