E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplaset trageti me anijen, zhduken 8 marinarë

21/10/2011  Ngjarja 25 milje larg bregut, fundoset anija tregtare me ekuipazh turk

Shpëtojnë vetëm kapiteni dhe ndihmësi. Trageti me udhëtarë asnjë dëmtim

DURRES- Tetë marinarë të një anijeje me flamur maltez dhe ekuipazh turk janë fundosur në det së bashku me mjetin e tyre të transportit detar pas një përplasje fatale me një traget udhëtarësh. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasmesnatës të së mërkurës në të hyrë dita e enjte teksa trageti “Ankara” me 196 udhëtarë po lundronte drejt brigjeve italiane të Barit, ndërsa anija e transportit “Reina 1” po përshkonte Adriatikun për në Bar Tivar të Malit të Zi. Gjithçka mendohet të ketë ndodhur rreth orës 01 të së enjtes rreth 25 milje nga brigjet e Durrësit teksa të dy mjetet lundronin në ujëra neutralë.

Ngjarja

Trageti “Ankara” është nisur nga porti Durrësit rreth orës 23.00 të së mërkurës me destinacion portin e Barit. Teksa ka lundruar rreth 23-25 milje mësohet se ekuipazhi i tragetit është ndeshur në një situatë të pazakonte. Asokohe anija me udhëtarë gjendej në ujërat neutral, ndërkohë që disa milje larg tragetit lundronte anija malteze me ekuipazh turk. Përplasja mes tyre ka ndodhur në afërsi të Otrantos duke mos u dhënë asnjë kohë ekuipazheve të mjeteve për të dhënë ndihmën e parë. Ngjarja ka mbetur ende e paqartë lidhur me shkaqet e këtij aksidenti të rëndë, por flitet se si ekuipazhi i tragetit edhe ai i anijes së transportit kanë qenë të pavëmendshëm. Grupi hetimor që ka shkuar në vendngjarje disa orë më pas, dyshon që ekuipazhet të kenë qenë të pavëmendshëm dhe se kanë reaguar në një kohë kur gjithçka ka qenë e pamundur për të kapërcyer situatën tragjike. Madje udhëtarë të tragetit, të cilët janë marrë në pyetje nga grupi hetimit, thuhet se kanë bërë të ditur se përplasja ka ndodhur pa u diktuar nga palët. Alarmi SOS është kapur nga roja bregdetare italiane, e cila ka regjistruar edhe kohën e marrjes së sinjalit, i cili dyshohet të jetë dhënë në kohën kur trageti e anija janë përplasur. Paraprakisht flitet se moti nuk ka qenë shkak për këtë ndodhi edhe pse deti ka shënuar 5 ballë. Anija “Reina 1” 3500 tonëshe me 34 mijë ton grurë është fundosur në disa minuta dhe udhëtarë të tragetit, si dhe marinarë të tij janë bërë dëshmitarë e kësaj tragjedie të rëndë në ujërat neutralë. Anija me ekuipazh turk e flamur maltez kishte ngarkuar grurë në portet ruse dhe që andej po lundronte për ta dërguar ngarkesën për në portin e Bar Tivarit të Malit të Zi. Kjo anije pritej të shkonte në portin malazez rreth orës 8 të së enjtes, por e papritura në mes të detit i ka ndërprerë lundrimin. Deri më tani rezultojnë të zhdukur 8 marinarë nga dhjetë të tillë që ka pasur ekuipazhi anijes, ndërkohë që kanë mundur të mbijetojnë kapiteni anijes “Reina 1” Ahmet Soyturk 54 vjeç dhe ndihmësi i tij Ahmet Bau. I gjithë ekuipazhi ka qenë me kombësi turke, ndërsa të mbijetuarit mësohet se kanë qenë në timonin e anijes në kohën e ndodhisë së jashtëzakonshme. Anija malteze është fundosur shumë shpejt aq sa nuk u ka dhënë mundësi një pjese të mirë të udhëtarëve të jenë vëzhgues të ngjarjes. Sipas burimeve nga kapiteneria e portit të Durrësit, fundosja nuk ka zgjatur më shumë se 5 minuta nga koha e tulatjes së saj, ndërsa nuk është e qartë se si anëtarët e ekuipazhit nuk e kanë mësuar tragjedinë.

Ndihma

Nga portet italiane janë nisur drejt vendngjarjes dy motovedeta dhe një helikopter, kurse marina ushtarake shqiptare ka vënë në lëvizje mjetet e saj operacionale të kërkimit e shpëtimit. Ndërhyrja ka qenë e menjëhershme dhe në saj të operacioneve është bërë e mundur të shpëtohet jeta e dy marinarëve, ndërsa rezultojnë tre të vdekur dhe pesë të zhdukur. Roja bregdetare dhe policia kufitare kanë angazhuar disa mjete nga ajri dhe deti për kërkimin e pesë personave të tjerë që janë zhdukur. Mjete të tjera janë vënë në dispozicion edhe nga Guardia di Financa nga pala italiane, të cilat janë duke bashkërenduar në operacionin e kërkim-shpëtimit. Dy të mbijetuarit e ngjarjes kanë përfunduar në një varkë shpëtimi që flitet se është hedhur në det nga ekuipazhi tragetit për të ndihmuar të rrezikuarit nga mbytja e anijes. Atyre u është dhënë fillimisht ndihmë në traget dhe që andej me anë të një motovedetë të palës shqiptare janë transportuar për në spitalin rajonal të Durrësit. Mjekët kanë konfirmuar se marinarët turq janë jashtë rrezikut për jetën. Për të mbikëqyrë gjendjen shëndetësore të tyre janë interesuar jo vetëm autoritetet lokale të Durrësit dhe ekipe të Ministrisë së Shëndetësisë e ata të Kryeministrisë, por edhe nga ambasada turke e akredituar në Tiranë.

Hetimet, sinjali SOS u dha në momentin e përplasjes

Përjashtohet pista e motit të keq, dyshohet

se drejtuesit ishin të përgjumur

Operacioni i kërkimit e shpëtimit është zhvilluar paralelisht me nisjen e hetimeve për të zbardhur ngjarjen, e cila është klasifikuar e veçantë dhe e rëndë. Autoritetet e hetimit kanë bllokuar praktikat e lundrimit të të dy mjeteve si të tragetit, edhe të anijes malteze me ekuipazh turk në përpjekje për të mësuar shumë elementë, të cilët mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Deti në kohën e ngjarjes nuk ka qenë i fortë dhe kjo ka mundur të sqarojë faktin se incidenti nuk ka ndodhur për shkak të motit. Nga ana tjetër mbetet për të hetuar lidhur me gatishmërinë e ekuipazheve të mjeteve, pasi mbetet e paqartë se si ka ndodhur përplasja në një kohë që nuk ka ndonjë sinjal lidhur me rrezikun që kërcënonte mjetet. Sinjali SOS që është kapur me anë të satelitit është dhënë në kohën që rezulton se mjetet janë përplasur me njëra-tjetrën dhe nëse është kështu atëherë përgjegjësia do të bjerë mbi kapitenin e tragetit dhe të anijes që tashmë është fundosur në fund të detit Adriatik së bashku me së paku 5 marinarë të ekuipazhit turk. Kryekomisari Sajmir Boshnjaku, drejtor i Policisë së Kufirit dhe Migracionit ka pohuar se motovedetat e policisë kanë dalë në det sapo është mësuar për tragjedinë, ndërsa nuk është folur me saktësi për orën e marrjes së sinjalit. Në të njëjtën kohë kanë dalë në det edhe motovedeta të Guardia di Finanza të dislokuara në Durrës, si dhe një pjesë e ekuipazheve të marinës italiane. Burime policore bëjnë të qartë se trageti me 196 udhëtarë nuk ka pësuar asgjë nga kjo përplasje ndonëse mjeti udhëtarëve ka qëndruar pa lëvizur deri në mesditën e së enjtes, kohë që ka përfunduar edhe praktika e hetimit. Shumë çështje e detaje që lidhen me hetimin kanë mbetur të padeklaruara pasi mësohet se nga Turqia e Malta janë nisur grupet e hetimit. Paraprakisht përjashtohet çdo mundësi e një incidenti të qëllimtë detar mes palëve nisur edhe nga fakti se në të dy mjetet ekuipazhet kanë qenë përgjithësisht me kombësi turke dhe se kapitenët kanë rastisur të jenë të dy nënshtetas turq. Burime nga ekipi i hetimit kanë bërë të ditur se trageti ka nisur të lundrojë për në destinacionin përkatës rreth mesditës të së enjtes. Policia e Durrësit ka marrë nën kujdes të dy marinarët e mbijetuar nga aksidenti.

Tregon i kapiteni turk, i mbijetuari i anijes tregtare

U thirra shokëve të mi të largoheshin, s’më dëgjuan

Kapiteni anijes Ahmet Soytur ka thënë se gjithçka ka ndodhur në fare pak minuta duke mos i lënë kohë atij dhe ekuipazhit të veprojnë. Agjentë të hetimit kanë mundur të regjistrojnë fare pak detaje nga të mbijetuarit. Kapiteni i anijes turke të fundosur në ujërat e Adriatikut ka thënë se në kohën e përplasjes ka qenë i vetëm në kuvertë dhe se pas thirrjeve të lëshuara në adresë të anëtarëve të ekuipazhit i është përgjigjur vetëm ndihmësi tij, Ahmet Bau. “Kam 8 shokë të tjerë që më kanë humbur, ata nuk më kanë dëgjuar kur unë u kam kërkuar të dalin nga anija për të shpëtuar”,-mësohet të ketë pohuar kapiteni anijes “Reina 1” në prani të oficerëve të policisë dhe efektivave që kujdesen për jetën e tyre. Hetimet do të vijojnë edhe në ditët e tjera, ndërsa do të vijojnë kërkimet si për të kërkuar të zhdukurit edhe për të mundur të nxjerrin detajet e përplasjes. Anija është nisur me datë 8 tetor nga Rusia, porti i Detit të Zi. Anija është nën administrimin e një kompanie të Stambollit, e cila do të kërkojë të mësojë se çfarë ka ndodhur realisht me mjetin e transportit. Paraprakisht dyshohet që ekuipazhet e tragetit dhe ata të anijes të kenë qenë jashtë gatishmërie dhe një pjesë e tyre edhe në gjendje gjumi. Ata mësohet se janë kujtuar për të vepruar në një kohë kur gjithçka ishte e pamundur për të ndaluar tragjedinë në det të hapur. Ka shumë të mundur që pala turke të finalizojë ndonjë aksion për të nxjerrë që andej anijen e fundosur duke shpenzuar miliona dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›