E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia, mbytet vajza shtatëvjeçare dhe e ëma në ujërat e lumit Devoll



Një grua 45-vjeçare dhe vajza e saj shtatë vjeçe u mbytën në ujërat e lumit Devoll, ndërsa po përpiqeshin që ta kalonin në këmbë atë, ndërsa fëmija tjetër i viktimës, një djalë tre vjeç, u shpëtua nga një banor i zonës, i cili pa të miturin brenda në lumë.

Sipas burimeve nga policia, viktimat janë Selvije Çapja dhe vajza e saj, Rexhina, banore në fshatin Dushk të rrethit të Elbasanit. Nëna me të dy fëmijët ishte duke shkuar për në fshatin fqinj për të vizituar të afërmit e saj. Asaj i duhej që të kalonte disa metra në këmbë mespërmes lumit Devoll. Ndërsa ishte duke ecur, rrjedha e fortë ka bërë që asaj t’i shkëputen nga duart fëmijët dhe të tre t’i marrë me vete. Në vendngjarje shkuan forcat e policisë si dhe banorë e familjarë të zonës, të cilët pas kërkimeve arritën që të gjenin trupin e 45-vjeçares.

Ngjarja

Rreth orës 8:30 të ditës së djeshme, Selvije Çapja, së bashku me vajzën e saj Rexhinën dhe djalin trevjeçar, ishin duke shkuar për vizitë tek të afërmit e tyre në fshatin fqinj.

45-vjeçarja ishte banore e fshatit Dushk, i cili gjendet ndërmjet komunave Mollas dhe Grecan në rrethin e Elbasanit. Gjatë rrugës, atyre u duhej që të kalonin disa metra mespërmes lumit Devoll. Kjo, pasi kishte disa kohë që ura nuk funksiononte për banorët dhe e vetmja zgjidhje e tyre ishte që të kalonin më këmbë lumin. 45-vjeçarja ka kapur fëmijët përdore dhe ka nisur të ecë. Por ndërsa ajo po përpiqej që të kalonte lumin, në një pjesë të tij ai ka qenë tepër i rrëmbyer, duke bërë që ata të shtyhen më poshtë dhe të shkëputen nga njëri tjetri. Me gjithë përpjekjet për të shpëtuar fëmijët dhe për të dalë në anën tjetër, 45-vjeçarja nuk ia ka arritur dhe është zhytur poshtë dhe shtyrë nga rrjedha e fortë së bashku me vajzën e saj shtatëvjeçare. Në këto momente ka qenë duke kaluar një banor i zonës, i cili ka parë djalin e vogël, që ishte duke lëvizur në ujë. Menjëherë ai ka shkuar aty dhe ka arritur që ta nxjerrë atë në breg, duke i shpëtuar kështu jetën. Ndërkohë që për Selvijen dhe për vajzën e saj nuk është mundur të bëhet asgjë, pasi ato nuk dukeshin më mbi ujë. Ndaj të miturit është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në spitalin e Elbasanit. Sipas mjekëve, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën, edhe pse i mituri po kalon një gjendje shoku për shkak të përvojës së hidhur që kaloi.

Kërkimet

Pas ngjarjes së ndodhur në ujërat e lumit Devoll, është dhënë menjëherë alarmi dhe në vendngjarje kanë shkuar banorët e zonës, familjarët e viktimave dhe policia. Ata kanë nisur kërkimet për të gjetur trupat e nënës dhe vajzës së saj. Është kërkuar edhe ndihma e polumbarëve nga Tirana, të cilët kanë ardhur më pas. Pas kërkimeve të njëpasnjëshme të zhytësve, është arritur që të gjendet trupi i Selvije Çapes, të cilin rrjedha e kishte çuar afër Kuçovës. Ndërkohë që polumbarët ende nuk kanë arritur që të gjejnë trupin e vajzës shtatëvjeçare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›