E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Dy partitë e mëdha, lista me ish-spiunë

Partia Demokristiane akuzoi dy partitë e mëdha se kanë dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura. Sekretari Politik i kësaj partie, Lazër Stani tha se kjo dëshmohet qartë në listat e kandidatëve të paraqituara nga ato në zgjedhjet parlamentare.


"Kandidatët për deputetë të përzgjedhur nga këto dy parti, jo vetëm nuk përfaqësojnë vlerat elitare të shoqërisë shqiptare, kapacitetet e saj qeverisëse dhe reformuese, por tregojnë se këto dy parti janë të paafta të shkëputen nga e shkuara, nga ish-spiunët e policisë sekrete dhe eksponentet e diktaturës, janë të paafta të shkëputën nga aferat e korrupsionit dhe individët e lidhur me to dhe, mbi të gjitha, janë të paafta të shkëputen nga koncepti leninist i partisë - shtet",- tha Stani.


Sipas tij, përfshirja e këtyre individëve në listat e kandidatëve për deputetë tregon se reformat e ndërmarra gjatë këtyre viteve kanë qenë gjysmake dhe të deformuara, se politika vazhdon të kontrollojë brutalisht institucione të rëndësishme kushtetuese dhe shoqërisë civile, pavarësia e të cilave është thelbësore për funksionimin e një demokracie. Gjithashtu në emër të partive politike, pjesëmarrëse në aleancën "Polin e Lirisë", ai kërkoi që të gjithë kandidatët që mbajnë poste në institucionet e pavarura kushtetuese dhe në administratën civile, të respektojnë ligjin dhe të japin dorëheqje të menjëhershme nga postet që mbajnë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›